Politikë

KLGJ e KLP rritën pagat, ministri Gogu: S’do ketë përplasje institucionesh, do të zgjidhim konfliktin në Kuvend

Ministri i Drejtësisë tha se boshllëku do të plotësohet në sesionin e ri parlamentar

F.I
KLGJ e KLP rritën pagat, ministri Gogu: S’do ketë përplasje
Toni Gogu

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka folur rreth vendimit të KLGJ dhe KLP për të rritur pagat, si dhe u ndal në debatin e pushtetit gjyqësor dhe ekzekutiv. 

KLGJ e miratoi pagën referuese bazë me vendimin e datës 26 gusht, ndërsa KLP me vendimin e 28 gushtit, duke parashikuar zbatimin e saj nga 1 gushti 2026. Megjithatë, pavarësisht përllogaritjeve dhe urdhrave për pagesë, ekzekutimi financiar nuk është kryer për pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë.

Gogu theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar, por aktualisht mungon baza ligjore për formulën e pagës. Ai tha se boshllëku do të plotësohet në sesionin e ri parlamentar, duke theksuar se zgjidhja duhet të vijë nga Kuvendi dhe jo nga përplasja mes institucioneve.

Ministri i Drejtësisë, Toni GoguParaja publike është para e qytetarëve, jo e qeverisë. Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Ky është parimi më i rëndësishëm për të gjithë, vlen për të gjithë njësoj. Këtë përgjegjshmëri që qytetarët presin nga ne, do ta mbrojmë pa asnjë hezitim. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme, janë të detyrueshme për t’u zbatuar, nuk negociohen, nuk relativizohen. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga çdo institucion. 

Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përgjegjshmëria për zbatimin e buxhetit kërkojnë autorizim të qartë ligjor për ta zbatuar. Këtu na është krijuar edhe problemi. Është boshllëku ligjor shkaku i gjithë situatës në të cilën ne ndodhemi sot. Nuk kemi arritur këtu se dikush kërkoi më shumë dhe dikush kërkoi më pak. Kemi arritur sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratit, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi. Në mungesë të autorizimit ligjor, Ministria e Financave është në pamundësi për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ky boshllëk ligjor do të plotësohet në Kuvend, në sesionin e ri parlamentar. Detyra ime është që kjo të bëhet sa më shpejt dhe në përputhje të plotë me përgjegjshmërinë ndaj buxhetit.

Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen, por zgjidhja është në Kuvend, në ditët në vijim. Ky do të jetë drejtimi ynë, kjo do të jetë edhe detyra ime në rolin e ministrit të Drejtësisë, për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje. 

Poll

MOS HUMB