
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën por edhe të gjithë faktorët e tjerë politike që kanë diskutuar për pensionet. Teksa fliste për projektbuxhetin e vitit 2025, Rama i krahasoi sërish me 'Suden'. Premtimet e opozitës për pensionet, Rama i cilësoi si "përralla".
"Jemi në vigjilje të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të ballafaqimit elektoral dhe pensionet janë bërë shesh për përshesh nga ata që janë vetëshpallur shpëtimarë të pensionistëve dhe kanë nxjerrë në pazar qilimat fluturues të Sudes dhe Rrapushit. Herë me fytyrën e rrudhur nga rënia prej fikut të pushtetit dhe herë me fytyrën e djersitur por plot oreks për pushtet këtë shitës qilimash flutures, disa të njohur për punë të këqija, disa të panjohur sepse nuk kanë punuar akoma asnjë ditë të vetme për shtetin, kanë marrë rrugët për tu shitur pensionistëve qilima dhe shqiptarëve një tufë përrallash të 1001 netëve. Por ndërkohë që këto Sude dhe Rrapush do të ndihmojnë për të bërë të qartë dallimin mes ecjes sonë në rrugën e shtetbërjes europiane dhe ecjes qafëthyese mbi qilimat e përrallave të tyre, dua të sjell këtu vetëm një shumë fakte të punës së mirë që kemi bërë,"-tha Rama ndër të tjera në fjalën e tij./ZËRI