
TIRANË- Struktura e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit Zgjedhor njoftoi strategjinë që do të ndjek për të parandaluar krimin zgjedhor gjatë zgjedhjeve parlamentare më 11 maj. SPAK përmes një postimi në rrjetet sociale bën me dije se do të verifikohen raportet që ngrejnë dyshime mbi keqpërdorimin e buxhetit dhe investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore. Po ashtu do të monitorohen mediat dhe rrjetet sociale që do të shkelin Kodin Zgjedhor.
SPAK njofton se do të bashkëpunojë me Komision Zgjedhor dhe Prokurorinë e Përgjithshme dhe organizata të ndryshme që do të jenë në terren për të monitoruar procesin zgjedhor. Gjithashtu instuticioni, lajmëroi se do të ngrihet një platformë e dedikuar denoncimeve të qytetarëve për denoncimet për veprat penale gjatë zgjedhjeve. Sakaq, bëhet me dije se do të regjistrohen të dhënat e denoncimeve në mënyrë që të analizohen sa më shpejtë dhe në mënyrë efikase. Denoncimet do të jenë anonime.
"Prokuroria e Posaçme publikon “Strategjinë e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor: Zgjedhjet për Kuvendin 2025”, e cila mbështetet në:
•Verifikimin në terren të indicieve apo fakteve rreth kryerjes së veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025, nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.
•Verifikimin e raportimeve që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi keqpërdorimin e buxhetit dhe investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore prej subjekteve të posaçme.
•Monitorimin e mediave dhe rrjeteve sociale për indicie të mundshme në kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve.
•Bashkëpunimin ndërinstitucional me Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Policinë e Shtetit, organizmat ndërkombëtare, organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore, etj.
Komunikimi me Publikun
Do të ngrihet një platformë e dedikuar për denoncime për kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve në faqen zyrtare online të Prokurorisë së Posaçme ku do të konsiderohet përfshirja e një:
➢ Numri telefoni emergjent: Krijimi i një numri të posaçëm për qytetarët, vëzhguesit e zgjedhjeve dhe institucionet që duan të raportojnë shkeljet ligjore përgjatë periudhës zgjedhore.
➢ Platforme online: Një faqe interneti për raportime anonime, duke përfshirë ngarkimin e provave si video, foto dhe dokumente.
➢ Poste elektronike: Një adresë e-mail e dedikuar për raportime me fakte shoqëruese.
Në lidhje me marrëdhëniet me publikun do të ngrihet një grup pune, i cili do të monitorojë të dhënat e bëra publike në media dhe rrjetet sociale mbi dyshimet e kryerjes se veprave penale të mundshme në kuadër të zgjedhjeve. Sipas rëndësisë, do të kryhen komunikime me publikun në formë njoftimesh dhe deklaratash për shtyp.
Regjistrimi i të dhënave
• Sektori i Protokoll/Arkivës merr masa për të hapur një libër protokolli të veçantë për regjistrimin e korrespondencave që kanë të bëjë me veprave penale në kuadër të zgjedhjeve, me qëllim nxjerrjen dhe analizimin e të dhënave në mënyrë sa më të shpejtë dhe të saktë.
Mbështetja financiare dhe infrastrukturore
• Strukturat përkatëse marrin masa për lëvrimin në kohë të fondeve për shpenzimet që do të kryhen si dhe sigurojnë kapacitetet teknike të nevojshme përgjatë periudhës zgjedhore", njofton SPAK.
Ndërsa sot, kryeministri Edi Rama tha se partitë politike nuk mund të monitorohen gjatë procesit elektoral. Rama u shpreh se kjo duhet të ndalohet menjëherë.
"Nuk mund të survejohen partitë politike në një proces elektorale. Uroj që kjo të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të dalët çdo lloj survejimi në territor sepse nuk mundet kurrën e kurrës të kthehemi në kohërat e errëta se kush merret me politike të survejohet. Dalja në këto pozicione është ndërhyrje në liritë dhe të drejtat politike të shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre", tha Rama.
Një ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, miratoi udhëzimin e përgjithshëm për masat administrative dhe procedurale në periudhën para dhe pas zgjedhjeve. Në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm do të ngrihen seksione të posaçme të përkohshme për hetimin e veprave penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve në kompetencën e tyre. Këto seksione do të ngrihen brenda 10 ditëve nga miratimi i këtij udhëzimi dhe do të funksionojnë deri në datën 31 maj.
Edhe SPAK ka ngritur një task forcë, e cila do të përfshijë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës. Sa i përket grupeve hetimor në terren, Prokuroria e Posaçme njoftoi se do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor./ZËRI