
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim virtual me ndjekësit në rubrikën Sy m’Sy, ku është pyetur se kur do të bëjë debat publik me opozitën. Ka qenë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili i ka bërë thirrje Ramës për të zhvilluar një debat publik. Por diçka e tillë nuk ka për të ndodhur, pasi kreu i qeverisë tha se nuk ka me cilën opozitë të bëjë debat publik.
Edi Rama: Me cilën opozitë do bëj debat publik? Me kë? Për cilën opozitë? Nuk e kuptoj këtë, unë debat publik e politik kam vite që e bëj.
Rama ndërkohë u shpreh i bindur për fitoren më 11 Maj.
“Qeveria jonë mund të ketë bërë shumë gabime, por askush përballë nuk bën dot këtë që ne mund të bëjmë. Do të ishte fatale për vendin çdo lloj lëkundjeje në 11 Maj. Që të jemi të qartë, nuk parashikoj ndryshim të mazhorancës, të shumicës. PS do ta rifitojë shumicën. Këtu çështja është se cili do të jetë mesazhi që populli do t’i japë BE-së, mesazh që këtu ne jemi siç ishim apo që jemi të vetëdijshëm se dera është hapur dhe duam të hyjmë në BE. Nëse duhet të jetë ky mesazhi i dytë, duhet një shumicë. Kjo nuk ka lidhje me fanelën apo me faktin që ne rrezikojmë të humbasim zgjedhjet.”shtoi Rama.
Kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha do të jenë përballë njëri-tjetrit në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 11 maj. Dyshja e kanë vendosur emrin e tyre të parin në listat e Tiranës, në listat e mbyllura./ZËRI