
TIRANË- Ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ende nuk ka marrë asnjë fletëthirrje nga SPAK! Kështu ka pretenduar vetë ish-kryedemokrati, Lulzim Basha teksa u pyet nga gazetarët për çështjen e "21 janarit". Para se të hynte në Kuvendin e Shqipërisë sot, Basha tha se deri më tani nuk është thirrur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por shtoi se edhe nëse thirret, do të vendoset në dispozicion të drejtësisë.
Lulzim Basha: Ende nuk kam asnjë thirrje. Por unë në çdo rast dhe çështje jam në dispozicion të SPAK-ut. Duhet të marrë fund epoka e imunitetit parlamentar. Për këtë kemi vendosur propozimin për të hequr imunitetin e deputetëve. Heqja e imunitetit do të thotë që të hiqet mundësia që njerëz që akuzohen për vepra penale që të largohen, si Arben Ahmetaj.
Keni frikë se do të prekeni dhe ju nga hetimet?
Lulzim Basha: Frikë duhet që të kenë ata që kanë shkelur ligjin. Në gjithë angazhimin tim politik, ligji dhe zbatimi i ligjit kanë qenë për mua prioriteti kryesor, ky është edhe konflikti kryesor që kam me gardën e vjetër dhe trekëndëshin e Bermudës që e mendojnë veten sipër ligjit.
SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në protestën e 11 Janarit të vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Procedimi penal është regjistruar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave; “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha./ZËRI