
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mbajti sot fjalën në çeljen e fushatës elektorale të koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Në nisjen e fjalës së tij, kryedemokrati Berisha tha se sot me nisjen e fushatës së Partisë Demokratike, kreu i qeverisë, Edi Rama po kalon një mbrëmje të keqe. Po ashtu, u ndal edhe tek hetimet që janë bërë ndaj tij, duke ia atribuuar edhe njëherë kryesocialistit. Por shtoi se në fakt, me hetimet ndaj tij dhe familjes së tij për çështjen "Partizani", Rama i ka bërë një nder, pasi provoi para shqiptarëve se është i pastër dhe i ndershëm.
"Edi Rama me propagandën etij përpiqet nga mëngjesi gjer në darkë, i qan hallin kalorësit se i varen këmbët, i qan hallin Sali Berishës për vitet e tij. Tani do i them këtu para jush, Edvin, vitet e Sali Berishës janë të gjitha vite bio. Vetingu që i bëri me lakejtë e tu, tregoi se Sali Berisha del sot para shqiptarëve si politikani më i pastër që ka njohur Shqipëria dhe më gjerë. Edvin, me atë veting, të cilin e nise si e nise, mund të them se nder më bëre, u tregove shqiptarëve se ku qëndron forca e pathyeshme e Sali Berishës,"-tha Berisha.
Ndërsa gjatë fjalimit bëri edhe një paralajmërim për kundërshtarin e tij politik.
"Edi! Mos e prek votën se vend mbi tokë nuk do kesh,"-shtoi kryedemokrati.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Të dashur demokrate e demokratë, opozitarë dhe opozitare, qytetare dhe qytetarë të Tiranës, mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju burrave dhe grave fisnikë, njerëz të mrekullueshëm që e keni bërë sot këtë shesh më të bukurin e Shqipërisë, më të bukurin në Europë. Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta kandidatëve të Aleancës së Shqipërisë Madhështore, të rinjtë, të reja, burra dhe gra, krenaria jonë, krenari për kombin. Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta zotit Chris LaCivita, kryetari i Komitetit të Partisë Republikane, bashkëarkitektit të rikthimit më të madh, më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit, rikthimit të presidentit Donald Trump. Në jetën time kam mbajtur shumë fjalime, por sonte jam më i emocionuar se asnjëherë kur ju shoh ju, njerëz të lirë, burra dhe gra fisnikë, që i keni dhënë sot këtij sheshi energjinë dhe entuziazmin e fitores sonë. Shqipëria Madhështore është Shqipëria e shpirtit tuaj. Është Shqipëria e dashurisë tuaj për të. E dashurisë për familjen. E atdhetarisë tuaj. E idealeve të lirisë. Miq, imagjinoni për një moment krahun tjetër me patronazhistë mëkatarë. Imagjinoni Edi Ramën që ka në krah Erion Veliajn, Çyrbjen, Ilir Beqajn, por ka në krah edhe McGonigalin. E shumë e presin. Edi Rama, sonte e kë të vështirë natën. Miqtë e mi, kjo është një natë ndër më të veçantat sepse sonte ne vijmë këtu për të nisur betejën tonë, betejën e fitores, betejën e Shqipërisë Madhështore. Betejë në të cilën Shqipëria ngrihet përsëri. Këto vite, e keqja e vuri para vendin tonë. Këto vite, 12 vite ishin për Shqipërinë vite të shkretimit të saj nga bijtë dhe bijat, ishin vitet e varfërimit të saj, ishin vite në të cilat regjimi i narkosve të Tiranës dhe mafia ndërkombëtare bëri gjithçka që të fshijë nga kujtesa e këtij kombi veprën tuaj të pavdekshme, Shqipërinë pluraliste. Bëri gjithçka të fshijë nga historia e këtij kombi arritjet madhore në fushën e lirisë. Bëri gjithçka të fshijë nga arkivat e këtij kombi, kontributin e secilit prej jush për dinjitetin kombëtar dhe lirinë kombëtare. Bëri gjithçka që ju të mos kishit as emër, as flamur. Po ja ku jemi sot, me flamurin tonë më krenar se kurrë me ju. Ja ku jemi sot, të bashkuar si asnjëherë. Ja ku jemi sot, të ngritur si Feniksi nga hiri në zenit për të shkuar drejt fitores. Miqtë e mi, ne mblidhemi sonte me një vështrim të ri për Shqipërinë. Me një betim solemn para saj për ta nxjerrë ata nga kthetrat e këtij regjimi. Për ta rikthyer atë, për të rikthyer tek ajo projektin e ëndrrave të të rinjve të saj, djemve dhe vajzave, ëndrrave më të bukura. Të dashur miq, 12 vite ishin vite të rënda për çdo shqiptar. Sot, një në dy familje nuk ka një fëmijë në vatrën e vet, por e ka në rrugët e botës. Sot 700 mijë pensionistë qajnë pothuajse çdo ditë me lot të ftohtë mjerimi. Sot mijëra e mijëra të sëmurë nuk marrin ilaçet dhe mbështeten në mëshirën e sëmundjes në shtratin e spitaleve tona. Sot, qindra mijëra familje shqiptare nuk marrin drejtësi. Sot qindra mijëra biznese falimentojnë njëra pas tjetrës, qindra mijëra vende pune shkatërrohen nga narkoeurot e trafikantëve të Edi Ramës. Sot sirenat për të ndryshuar Shqipërinë bien në të katër anët e dheut. Sot Shqipëria pret me padurim ndryshimin e madh. Pret me padurimin projektin e madh, projektin më të bukur që ka njohur në histori, projektin e Shqipërisë Madhështore. Miqtë e mi, këto ditë, këtë muaj, në këtë fushatë, ndeshen dy botë, ndeshen dy filozofi, ndeshen dy projekte. Në njërën anë janë ata të cilët e grabitën dhe e plaçkitën Shqipërinë dhe shqiptarët sa asnjë pushtim tjetër në histori. Miq, Shqipëria është e sëmurë. Kjo sëmundje quhet Edi Rama. Kjo sëmundje quhet Edi Rama. Kjo sëmundje quhet Edi Rama. I tmerruar nga e vërteta, i tmerruar nga transparenca, ka dy muaj që është ngujuar në zyrë, ka dy muaj që flet me vete, ka dy muaj që ka frikë. Por miq, u përpoq me çdo mënyrë, u përpoq me gjithçka, me arrestime, me korrupsion, me përçarje, me çdo gjë, që Shqipëria të mos kishte opozitë. Ja ku jemi sot, më të fuqishëm se kurrë. Edi Rama vazhdon avazin e vjetër. Edi Rama vazhdon mashtrime, shpifje dhe trillime. Por për 12 vite shqiptarëve nuk u tregon dot një gjë, një vepër, sepse kudo ka vjedhur, ka vjedhur dhe vetëm ka vjedhur. Lufta e tij me PD-në, trashëgiminë e saj, është lufta e Don Kishotit me mullinjtë e erës. Çfarëdo që të thotë dhe çfarëdo që të bëjë, kjo parti është partia e pluralizmit politik. Ky flamur është flamuri i pluralizmit politikë. Çfarëdo që të thotë dhe çfarëdo që të bëjë, kjo parti është partia që përmbysi diktaturën komuniste, vendosi demokracinë dhe ekonominë e tregut. Çfarëdo që të thotë dhe çfarëdo që të bëjë, kjo parti është parti që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO dhe nxori Shqipërinë nga terri dhe errësira. Është partia që çau malet dhe bashkoi kombin me Rrugën e Kombit. Është partia që dyfishoi rrogat dhe pensionet dhe e nxori Shqipërinë nga humnera e varfërisë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Kjo parti është partia që liberalizoi vizat e shqiptarëve, suksesin e tyre të jetës, i nxori nga izolimi evropian. Kjo parti është partia e projekteve më të mëdha, më të mëdha në historinë e Shqipërisë, por edhe në rajon edhe më gjerë, si TAP dhe Kaskada e Devollit. Miqtë e mi, kjo parti ka paraqitur një program në të cilin jo më vetëm vepra të caktuara, por Shqipëria e tërë do jetë madhështore, madhështore, madhështore. Edi Rama me propagandën etij përpiqet nga mëngjesi gjer në darkë, i qan hallin kalorësit se i varen këmbët, i qan hallin Sali Berishës për vitet e tij. Tani do i them këtu para jush, Edvin, vitet e Sali Berishës janë të gjitha vite bio. Vetingu që i bëri me lakejtë e tu, tregoi se Sali Berisha del sot para shqiptarëve si politikani më i pastër që ka njohur Shqipëria dhe më gjerë. Edvin, me atë veting, të cilin e nise si e nise, mund të them se nder më bëre, u tregove shqiptarëve se ku qëndron forca e pathyeshme e Sali Berishës. Miq, për sa i përket moshës, ju garantoj se ai, nuk e keni njohur ju, por unë e mbaj mend, ngjet jo me Gramozin, por me gjyshin e Gramoz Ruçit. Ndaj dhe nuk e di ti, se vjedh gjithë ditën, por forca e burrit matet, fuqia e një burri matet me dashurinë dhe pasionin që ka ai për të ndihmuar shoqërinë, kombin, vendin e tij. Nuk jam kthyer unë për pushtet, jo, jo. Unë kam qenë në pushtet dhe kam lënë ato që ti nuk i shuan dot. Nuk jam kthyer unë për para. Jo dhe jo. Shqiptarët e panë se cili ishte vetingu i Sali Berishës. Nuk jam kthyer unë për luks. Jo dhe jo. Dije, në moshën time, kur kam ardhur në këtë stad të jetës, këtë eksperiencë, këtë dashuri, këtë respekt që kam për njerëzit, dua t’ua kushtoj atyre, dua t’ua kushtoj fëmijëve të tyre, dua t’ia kushtoj këtij projekti që pushton çdo ditë e më shumë mendjet dhe zemrat e tyre. Dua që së bashku me ta, ashtu siç përmbysëm diktaturën e baballarëve të tu, ashtu siç vendosëm tregun dhe demokracinë, ashtu siç anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ashtu siç transformuam Shqipërinë, të ndërtojmë tani Shqipërinë Madhështore, Shqipërinë më të bukur që shqiptarët kanë pasur në tërë historinë e tyre. Ndaj dhe ne këtë projekt do ta nisim jo me patronazhistët siç e nis, jo me ata ministrat dhe klanin tënd, ata oligarkët që mban përreth dhe plaçkit në mënyrë të pamëshirë këtë vend, por do ta nisim me ata që numërojmë kafshatën, do ta nisim me ata që qajnë me lot mjerimi, do ta nisim me ata 780 mijë burra dhe gra që i ke katandisur si askush tjetër në Europë. Do vendosim minimumin jetik 200 euro për çdo pensionist, për çdo student, për çdo të papunë, për çdokënd në ndihmë ekonomike. Ne jemi partia e rritjes dhe dyfishimit të rrogave dhe pensioneve, ne do i rrisim dhe do i dyfishojmë ato. Shqipëria e punës, Shqipëria e njerëzve të paguar, Shqipëria e njerëzve që prodhojnë, Shqipëria e njerëzve të suksesit është qëllimi i projektit tonë. Ndaj dhe unë jam këtu për t’u zotuar para shqiptarëve se qeveria do të vendosë mbi ta taksat më të ulëta që ekzistojnë në Europë dhe në botë, në mënyrë që ju me mundin, me djersën tuaj të begatoheni, të mëkëmbeni, të pasuroheni. Miqtë e tu nuk ka një vend të dytë të pasur si Shqipëria, nuk ka 28 mijë kilometra katrorë që të ketë pasuritë e saj përrallore. Sot, ato shfrytëzohen nga Edi Rama dhe oligarkët e tij njëlloj si në sistemin më të egër kolonial. Nesër ato do të kthehen në pasuri për ju, për fëmijët tuaj, për Shqipërinë Madhështore, për Shqipërinë e të ardhmes./ZËRI