Politikë

Protestuesit hoqën flamurin e Izraelit nga Ambasada në Tiranë! Valë reagimesh nga zyrtarët e lartë

Në një postim në platformën "X", Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg ka dënuar aktin, duke e cilësuar si një veprim që turpëron popullin shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare.

F.I
Protestuesit hoqën flamurin e Izraelit nga Ambasada në Tiranë!
Galit Peleg dhe Albana Koçiu

TIRANË-Heqja e flamurit të Izraelit nga godina e Ambasadës në Tiranë nga protestuesit në ditën e 21-të të tubimit, ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga përfaqësues diplomatikë dhe zyrtarë shqiptarë. Në një postim në platformën "X", Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg ka dënuar aktin, duke e cilësuar si një veprim që turpëron popullin shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare. Sipas ambasadores, gjesti bie ndesh me vlerat dhe dinjitetin e shqiptarëve.

Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit PelegMbrëmë në Tiranë, protestues hoqën flamurin izraelit dhe e grisën atë mes brohoritjeve të turmës së mbledhur në vendngjarje. Si ambasador i një shteti demokratik, unë besoj në të drejtën e popullit shqiptar për të ushtruar të drejtën e tij qytetare për të protestuar. Megjithatë, një akt i tillë jo vetëm që nuk i shërben kauzës së protestës publike, por gjithashtu cenon dinjitetin e popullit shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare. Falënderoj @HoxhaFer për dënimin e menjëhershëm dhe të qartë të këtij akti.

Lidhur me incidentin, një reagim ka ardhur edhe nga Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu. Zv.kryeministrja shkruan se ky është një akt i papranueshëm provokimi, që cenon normat themelore të respektit ndaj përfaqësive diplomatike dhe bie ndesh me frymën e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Sipas saj ky është një provokim dhe një veprim i turpshëm, i cili bie ndesh me parimet e Shqipërisë si vend mikpritës.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu: Heqja e flamurit izraelit nga godina e Ambasadës së Izraelit në Tiranë është një akt i papranueshëm provokimi, që cenon normat themelore të respektit ndaj përfaqësive diplomatike dhe bie ndesh me frymën e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Ky nuk është thjesht një sulm ndaj një simboli shtetëror. Çdo akt që synon të shënjestrojë identitetin e një populli, të delegjitimojë praninë e tij ose të nxisë armiqësi mbi baza etnike apo fetare, krijon terren për intolerancë dhe antisemitizëm, fenomene që Europa i njeh nga kapitujt më të errët të historisë së saj dhe që nuk mund të kenë vend në shoqëritë demokratike.

Shqipëria është një vend mikpritës, një partner i besueshëm, pa asnjë tolerancë ndaj antisemitizmit apo gjuhës së urrejtjes. Ky akt i turpshëm dhe i izoluar bie ndesh me traditën tonë të gjatë të harmonisë, respektit dhe mbrojtjes së tjetrit, parime këto që kanë karakterizuar popullin shqiptar përgjatë historisë. Shprehim solidaritetin tonë të plotë me Ambasadën e Shtetit të Izraelit dhe rikonfirmojmë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe promovimin e vlerave europiane të tolerancës, respektit dhe bashkëjetesës.

Edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dënuar ashpër heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Izraelit në Tiranë gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e së shtunës. Një reagim erdhi edhe nga Komuniteti Hebraik, i cili theksoi se ky incident nxit urrejtje dhe antisemitizëm, duke bërë thirrje për zbardhjen e ngjarjes.

Çfarë ndodhi 

Një incident u regjistrua mbërmejn e djeshme (20 qershor) gjatë protestës së qytetarëve në Tiranë. Gjatë orëve të mbrëmjes teksa qytetarët marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit, në një moment u ndalën tek godina e Amabasdës, ku një prej tyre hoqi dhe grisi flamurin izraelit. Gjesti u shoqërua me brohorima nga një pjesë e turmës së pranishme./ZËRI

Poll

MOS HUMB