TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar edhe për autokolonat e makinave me protestues nga diaspora, të cilat kanë mbërritur në vend për protestën e paralajmëruar të kësaj të shtune në orën 19:00 në Tiranë.
Sipas burimeve nga mbledhja me dyer të mbyllura, Rama është shprehur se në disa prej rasteve automjetet që kalojnë kufirin kanë vetëm shoferin brenda. Po sipas burimeve, Rama e ka cilësuar këtë si një skenar të qëllimshëm për efekt mediatik dhe viralitet.
“Më vjen një video ku në Muriqan po kalojnë autokolona me makina që kanë brenda vetëm shoferin. Është e paguar, e bëjnë për viralitet”, mësohet të ketë thënë kryeministri Rama.
Deklarata e tij vjen në prag të protestës së paralajmëruar, për të cilën organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive nga qytetarët dhe diaspora, sot në orën 19:00.
Gjatë ditës autokolona kilometrike kanë mbërritur në kryeqytetet me makina të veshura me flamuj kuq e zi./ZËRI
