TIRANË- Sot mbahet protesta e 21-të në Tiranë kundër projektit në Zvërnec, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë paralajmëruar një pjesëmarrje të lartë qytetare.
Ndërkohë, në kryeqytet kanë mbërritur autokolona të shumta nga zona të ndryshme të vendit, si dhe nga diaspora. Qindra automjete të stolisura me flamuj kuqezi janë nisur prej ditësh nga vende të ndryshme të Europës dhe sot kanë hyrë në Tiranë për t’iu bashkuar protestës.
Pamje të autokolonave janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke dokumentuar udhëtimin e tyre që nga nisja jashtë vendit, kalimi në Muriqan, ndalesa në Shkodër dhe Mamurras, deri në mbërritjen në kryeqytet.
Protestuesit deklaruan se protesta synon të përcjellë një mesazh politik ndaj qeverisë, duke kërkuar ndryshime në përfaqësim dhe zhvillime të reja politike në vend. Sipas tyre, pjesëmarrja e diasporës është një formë solidariteti me protestuesit që prej ditësh janë mbledhur në Tiranë.
Qytetarët vijojnë të shprehin kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe kërkojnë ndalimin e tij, si dhe më shumë transparencë nga institucionet përkatëse.
Protesta futet sot në ditën e 21-të, cila ka nisur më 31 maj dhe po vijon pa ndërprerje. Organizatorët kanë bërë të qartë se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në anulimin e projektit nga qeveria.
Protestuesit kundërshtojnë zbatimin e projektit, duke shprehur shqetësime për ndikimin e tij në mjedis dhe në zonat e mbrojtura të Zvërnecit. Ata kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre derisa kërkesat të merren në konsideratë nga institucionet përgjegjëse./ZËRI