
FIER-Teksa ka nisur rinumërimin të votave të qarkut Fier, janë evidentuar edhe parregullsi brenda listës të kandidatëve. Deri më tani janë rinumëruar 456 kuti nga 587 në total, ose mbi 79%. Shifrat nuk tregojnë ndikim të mundshëm në mandate, por vihet re një numër i lartë i votave të pamerituara në radhët e kandidatëve si nga Partia Socialiste, ashtu edhe nga ajo Demokratike.
Në PS, Ceno Klosi rezulton me numrin më të lartë të votave të pamerituara, me 914 vota që i zbriten nga rezultati fillestar. Ndërsa Klevis Jahajt i shtohen 462 vota, që i janë hequr nga numërimi i parë.
Në PD, edhe pse 4 deputetët e dalë janë të listës së mbyllur, janë evidentuar humbje të konsiderueshme. Silva Hasaj është kandidatja me më shumë vota të pamerituara, 690 vota, ndjekur nga Gentian Çela me 209 vota. Në lidhje me shkeljet anëtari i KAS, Ledio Braho tha se do të shqyrtojnë grupet e numërimit dhe më pas do të vlerësojnë nëse do të procedojnë me kallëzim penal apo jo.
Ndërkohë Partia Demokratike ka humbur 103 vota që i ka marrë pa meritë, ndërsa PS-së i janë shtuar 12 vota. Koalicionit të Adriatik Lapajt i duheshin 519 vota për të marrë mandatin por, rinumërimi deri më tani nuk i ka dhënë asnjë përparësi, pasi i janë hequr 7 vota që i ka marrë pa meritë.
Humbje të vogla votash kanë pësuar edhe parti të tjera si Lëvizja Bashkë që i janë zbritur 7 vota, Koalicioni Djathtas për Zhvillim i zbritet 1 votë dhe partisë Mundësia i zbrtien 3 vota.