TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu u paraqit sërish në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për seancën e radhës së çështjes së “Gërdecit”. Pasi doli nga ambientet e GJKKO, Mediu tha se ky proces është kthyer në agjitacion-propagandë. Mediu përsëriti sërish deklaratën që ka dhënë në nëntor të 2024 se për të justifikuar vrasjen e 26 personave, duke thënë se nuk është detyra e ministrit të merret me kalibrat.
Ish-ministri u shpreh se në asnjë vend të NATO-s nuk ndodh që një ministër të ketë dijeni rreth kalibrave. Më tej ai kritikoi prokurorët duke thënë se prokuroria duhet të ketë vendin e vetë dhe jo të dalë mbi gjyqësorin. Mediu u shpreh se dalja e organit të akuzës mbi gjyqësorin ka pasoja në shoqërinë shqiptare.
“Nuk është detyrë e ministrit të merret me kalibrat. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të NATO-s. Ky është kthyer në një proces agjitacion propagandë njësoj si në kohën e komunizmit. Mjerë republika e prokurorëve, shumë e kanë marrë me qejf këtë, por nuk mund të ketë Republikë Prokurorësh.
Duhet të ketë një shtet të së drejtës ku prokuroria duhet të ketë vendin e vetë. Nuk është drejtësia prokuroria, drejtësia është gjyqësori. Vendosja e prokurorisë mbi gjyqësorin është një nga veprimet më fatale të drejtësisë shqiptare dhe ka për të pasur pasoja jo të vogla politike, sociale në shoqërinë shqiptare”, tha Mediu.
Ish-ministri i Mbrojtjes po gjykohet për dosjen “Gërdeci”, i dyshuar për “shpërdorim detyre”. Më 9 tetor 2024, GJKKO refuzoi kërkesën e Mediut për riekspertim pjesor për kostot e dëmit financiar të shkaktuar në Fabrikë. SPAK deklaron nga akti i ekspertimit financiar dalin dëmet e shkaktuara nga veprimet dhe mosveprimet e Mediut, gjë që sipas organit të akuzës provon shpërdorimin e detyrës prej tij. Këto pretendime janë kundërshtuar nga Mediu.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”./ZËRI
