
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar raportin e bërë sot nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar para KLP-së. Në fjalën e tij, në një prononcim për gazetarët, Berisha u shpreh kundër zgjatjes së mandatit përmes ndryshimeve ligjore në Kushtetutë.
Berisha: Edhe sot, halli i mandatit, o zotëri nëse ke kryer detyrat ti nuk mund të kesh frikë nga puna jote. Ja ku i ke kolegët e tu që kanë kryer dënime përjetë. Jo një, por disa. Ç'është kjo që të ndërrojmë ne Kushtetutën se ai ka frikë nga puna e tij? Për t'i zgjatur afatin...jo ta harrojë se ndryshon Kushtetuta për të. Ku i ke dënimet? Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhjetra dënime përjetë. Ku i ke ti? S'ke asnjë se bën pazare. Është i aboseduar, në çdo takim kërkon ndryshimin e Kushtetutës.
Sot, para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kreu i SPAK Altin Dumani kërkoi që prokurorëve të SPAK t’u jepet mundësia të rikandidojnë sërish pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar. Dumani u shpreh kundër riemërimit pa garë, por listoi dy alternativa, rikandidimin për një mandat të dytë në SPAK dhe atashimi pranë Apelit./ZËRI