
TIRANË- Benet Beci është kryebashkiaku i radhës që bie në "rrjetën" e SPAK! I pari i qytetit të Shkodrës u thirr 3 ditë më parë në ambientet e SPAK, ku qëndroi për vetëm 30 minuta. Nga godina doli i buzëqeshur, por sërish nuk qëndroi që të jepte një sqarim për gazetarët jashtë duke ua refuzuar pyetjet. Kështu u la e pazbuluar arsyeja se përse ishte thirrur në Prokurorinë e Posaçme.
"Do ua jap (përgjigjen) në momentin që duhet,"-tha Beci, duke mos komentuar as pyetjet nëse kishte dhënë apo jo dorëheqjen nga posti i tij si kryebashkiak i Shkodrës. Por dje u zbulua se Beci ishte marrë në hetim për një çështje të hapur në kohën që ai drejtonte Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Benet Beci e mori drejtimin e FSHZH në vitin 2005 dhe e la për të kaluar si administrator i Korporatës Energjitike të Shqipërisë, post që e mori në vitin 2019. Nga të dhënat e deritanishme, raportohet se Beci akuzohet se ka kryer korrupsion gjatë kohës që ka mbajtur detyrën në dy qeveritë, si në kohën e kryedemokratit Sali Berisha, por edhe tani me kryeministër Edi Ramën.
Ndaj, si person nën akuzë, e cila ende nuk është konfirmuar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka pasur edhe zëra se Beci i ka dërguar në zyrë dorëheqjen e tij kryeministrit Edi Rama. Pas publikimit të lajmit në disa media gjatë mbrëmjes së djeshme, Beci la të kuptohej se pretendimet nuk ishin të vërteta. Të paktën ato të dorëheqjes.
“Nuk e di ku dreqin e kane marre vesh disa portale qe kam dhene doreheqjen se ishte sekret deri neser! Po tani qe doli po e them edhe arsyen: Neser zgjidhem une President i Amerikes me kerkese te dy kandidateve te tjere, meqe e tregova ne Shkoder se jam i pelqyeshem per te dy palet,”-shkruante Beci dje. Por sot, duket se e ka lënë mënjanë ironinë! Teksa kishte dalë për të inspektuar disa punime në qytet ka lënë të kuptohet se do të vazhdojë që të qëndrojë në krye të detyrës. Të paktën deri në një moment të dytë.
“Ne vazhdojmë punën, sigurisht jam paraqitur për të dhënë shpjegime normalisht. kush do të merret me llafe të merret me llafe, mendoj se kryesorja është që ne të vazhdojmë investimet, punët, Shkodra nuk ka të ndalur në rrugën që ka marrë,”- tha Beci.
Ndërkohë që Beci është ende në krye të detyrës, ende nuk ka asnjë njoftim nga SPAK lidhur me çështjen e tij. Kështu që me publikimin e çështjes, pritet që edhe SPAK të dalë me një njoftim zyrtar për të sqaruar akuzën dhe shkeljen që Beci ka kryer në kohën që drejtonte një nga institucionet më me rëndësi për investimet në vend. Gjatë karrierës së tij, Benet Becit i janë besuar detyra të rëndësishme sidomos në sistemin bankar ku ka pasur disa pozicione, nga të cilat më i spikaturi ka qenë ai i anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, por edhe në menaxhim financiar në institucione të Financimit Rural./ZËRI