TIRANË- Edhe pse kanë kaluar 3 muaj nga djegia e karrigeve në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë, deputetët e Partisë Demokratike nuk i kishin paguar "detyrimet". Në këto kushte, Kuvendi ka "vepruar" vetë dhe i ka mbajtur një pjesë të pagës 4 ligjvënësve demokratë. Paga u është mbajtur deputetëve: Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledjon Nallbati dhe Elda Hoti. Të katërve u është mbajtur shuma e 764 mijë lekëve të reja.
Sipas të dhënave që janë zbuluar nga vetë Kuvendi, kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhit i janë mbajtur 209 mijë lekë; Flamur Nokës dhe Bledion Nallbatit nga 187 mijë lekë; ndërsa Elda Hotit, 180 mijë lekë. Arsyeja se përse Bardhi ka më shumë para "borxh", është sepse ka dëmtuar edhe stemën e Kuvendit, ka djegur dhe tapetin e Kuvendit.
PJESË NGA VENDIMI:
1. Stema qendrore e Sallës së Seancave Plenare ka vlerën e mbetur pas amortizimit 21 719 lekë (33096-11 377-21 719). Kjo stemë është dëmtuar, referuar filmimeve dhe fotove nga z. Gazment Bardhi.
2. Karriget e Sallës Plenare, copë 29, kanë vlerën e mbetur pas amortizimit 575 819 lekë (1036750-460931-575819 lekë). Referuar filmimeve, karriget e deputetëve janë djegur plotësisht në shkallët hyrëse të Sallës së Seancave Pienare nga z. Flamur Noka, z. Bledjon Nallbati, znj. Elda Hoti dhe z. Gazment Bardhi dhe janë jashtë funksionit.
3. Karrige, copë 1, me vlerën e mbetur pas amortizimit 19 856 lekë (35750 - 15894 = 19856), është thyer dhe shkatërruar plotësisht brenda Sallës së Seancave nga deputetët z. Gazment Bardhi, z. Flamur Noka dhe z. Bledjon Nallbati.
4. Tapeti ceremonial i vendosur në hyrje të Sallës së Seancave nuk ka vlerë amortizimi pasi është blerë dhe bërë hyrje në Institucion në datë 06.09.2024 dhe vlera nuk ndryshon, 147528 lekë. Ky tapet është djegur për shkak të ndezjes së zjarrit të karrigeve të vendosura mbi të nga deputetët z. Flamur Noka, z. Bledjon Nallbati, znj. Eida Hoti dhe z. Gazment Bardhi. Në përfundim të konstatimeve të mësipërme ju informoj se dëmi i shkaktuar në protestën e datës 30.09.2024, është në vlerën 764 922 lekë. Bashkëlidhur do të gjeni pamjet filmike të regjistruara si dhe foto, përkatësisht sipas dëmeve. Për sa më sipër, kërkoj miratimin Tuaj për të filluar me procedurat ligjore të dëmshpërblimit, sipas dëmeve të shkaktuara nga personat përgjegjës.
Për zëvendësimin e karrigeve, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur një tender me vlerë 13 mijë euro për të blerë 30 karrige duke e cilësuar si “nevojë emergjente” për mbarëvajtjen e punimeve. Pas seancës kaotike të 30 shtatorit, grupi i Kontrollit dhe auditit të inventarit të dëmeve që ngriti vetë Kuvendi doli në përfundimin se demokratët i kishin "borxh" Kuvendit shumën prej 764.922 mijë lekëve të reja./ZËRI