TIRANË-Sesioni i parë i Kuvendit ka nisur me replika mes kryetarëve të grupeve parlamentare atij të PD-së, Gazment Bardhi dhe PS, Taulant Balla. Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se mazhoranca do të vazhdojë të votojë ligjet e Edi Ramës për grabitjen dhe plaçkitjen e Shqipërisë, ndërsa u shpreh se 'kur Rama të sjellë në parlament ligjin që do t’ju fusë në burg nëse fusni njerëz në punë, unë do jem i pari që e votoj'.
Gazment Bardhi: Një sesion i ri parlamentar normalisht duhet të fillojë me atë që do të bëjmë më mirë për shqiptarët në muajt që kemi përpara, por siç është katandisur ky parlament, nuk ka më ndonjë dilemë se kjo mazhorancë do të vazhdojë të votojë kokëulur ligjet e Edi Ramës për grabitjen dhe plaçkitjen e Shqipërisë. Do të vazhdojë të votojë programin e Edi Ramës për Shqipërinë si tokë e djegur nga sundimi i korrupsionit, i krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Kur Rama të sjellë në parlament ligjin që do t’ju fusë në burg nëse fusni njerëz në punë, unë do jem i pari që e votoj.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, nuk i kurseu ironitë, duke u shprehur se opozita do të vazhdojë të votojë projektligjet e mazhorancës.
Taulan Balla: Në fillim të sesionit, tradita e ka bërë që secili prej grupeve parlamentare, në emër të grupeve paraqet objektivat e veta. Më vjen mirë që i paskeni ndjekur me vëmendje propozimet tona dhe atë të Kryeministrit Rama, me bindjen se do e votoni. Është fillim i mbarë me angazhimin e opozitës për të votuar projektligjet që propozon mazhoranca.