
TIRANË- Disa orë pas zyrtarizimit të emrave të deputetëve garues për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij ‘Sy më sy’ ka komentuar listat e Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Sa i përket kësaj të fundit Rama u shpreh se listat janë ndërtuar me kujdes që nga viti i kaluar. Sipas tij PS ka shfrytëzuar listat e mbyllura për të hapur partinë. Ai theksoi se jo të gjithë personat që Partia Socialiste ka kontaktuar kanë pranuar të futën në politikë. Rama tha se PS ka aplikuar një proces të dytë seleksionimi dhe nga ky seleksionim dolën rreth 250 individë.
Edi Rama për listën e PS: Skuadra jonë kombëtare është diçka komplet tjetër, e ndërtuar me shumë kujdes qysh nga viti i shkuar në shtator. Kur kemi vendosur drejtuesit politikë të qarqeve, fillojnë dhe bëjnë të gjithë punën studimore të territorit të potencialeve dhe bashkëpunojnë me komunitetet, me aktorë dhe faktorë për të evidentuar kandidaturat më të përshtatshme dhe të mundshme. Jo të gjithë ata që janë kontaktuar kanë pranuar të futen në politikë. Kemi rilancuar platformën deputeti që duam, e bëmë të parën provë në 2021, ishte hera e parë, patëm rreth 500 e kusur aplikime. Pastaj të gjithë këtyre që aplikuan iu drejtuam me një proces të dytë seleksionimi, dhe nga ky seleksionim dolën rreth 250 individë që iu dhanë mundësinë të hyjnë në terren dhe të punojnë në terren. Platforma na ka sjellë një risi të madhe. Ne i kemi shfrytëzuar listat e mbyllura për të hapur partinë, për ta bërë hapjen brutale, në sensin që nëse kapacitete e brendshme në territor nga pikëpamja e qasjes organizatave janë të tilla që e pengojnë hapjen, ne duhet ta imponojmë në një moment kyç, duke i dhënë mundësi të rinjve dhe të rejave që përndryshe nuk do të futeshin dot.
Ndërkohë Rama komentoi edhe listën e mbyllur të koalicionit të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, duke e quajtur atë një “tribunë VIP”. Ai tha se mes emrave të listës mungonin dy figura të njohura të politikës shqiptare, të cilët e kishin merituar vendin, siç ishte Kujtim Gjuzi dhe Dashnor Sula.
Edi Rama për listën e PD: Një pjesë tjetër e komenteve lidhen me ditën e mbrëmshme për skuadrat që do të konkurrojnë në 11 Maji. Sepse kush kishte ndonjë dyshim, apo ndonjë shpresë apo ndonjë besim të mbetur, mjafton të shikoj skuadrën në listën e mbyllur të kryeqytetit. Është tribuna vip e kënetës. Doni të shikoni kush janë vipat e kënetës, shikoni aleancën e Shqipërisë Madhështore, ku mungon Kujtim Gjuzi. Sepse është i vetmi që e Meriton për atë nivel që ka këneta dhe me ato mustaqe që ka kujtim. Ndërkohë që Dash Sula që nuk ka lënë gjë pa bërë për një karrige u la në det të hapur dhe mesa mora vesh u arratis sepse nuk e përballoi dot këtë poshtërim që i bëri këneta dhe vazhdon të besoj se Shqipëria Bëhet. Në fund ditës Dash Sula është gjel deti i Peqinit. Papajtueshmëria me ujin e kënetës.
Partitë politike kanë dorëzuar tashmë listat e hapura dhe të mbyllura për kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në 11 Maj. Sa i përket Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës nga 49 kandidatë mes tyre 12 emra janë rezervuar për në listën e mbyllur dhe 37 në listën e hapur. Nga ana tjetër 13 deputetë të Partisë Demokratike janë në listën e hapur për zgjedhjet e "11 majit dhe 19 demokratë në listat e mbyllura. Lista u dorëzua edhe nga koalicioni Euroatlantik I Lulzim Bashës dhe koalicioni “Nisma Shqipëria” drejtuar nga Adriatik Lapaj. Sa i përket PSD Vetë Tom Doshi ka zgjedhur që të garojë për të marrë mandatin e tij në qarkun e Shkodrës. Nga ‘Partia Mundësia’, Agron Shehaj ka vendosur të kandidojë në një nga qarqet më të rëndësishme, Tiranën./ZËRI