SHBA-Kryeministri Albin Kurti, i cili ndodhet në SHBA ku po qëndron për vizitë, ka njoftuar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish krerëve të UÇK-së. Në një postim në rrjetin social Facebook, Kurti shprehet se do të bashkëpunojnë me aleatët ndërkombëtarë dhe do të angazhohet pandërperë mbrojtjen e luftës çlirimtare përballë propagandave të Serbisë.
Albin Kurti:
Në ditën e parë të qëndrimit në New York, pata kënaqësinë të zhvilloj një bashkëbisedim frymëzues, “Between Here and Home”, me të rinjtë e diasporës shqiptare në Amerikë, organizuar nga tri grupe të të rinjve shqiptaro-amerikanë: ZANI, F’Oda, dhe Columbia University Albanian Society. Krahas kolegëve nga Qeveria e Republikës së Kosovës në delegacionin tonë janë edhe kryetarja e Preshevës Ardita Sinani dhe deputeti Shaip Kamberi.
Biseduam mbi një gamë të gjerë temash, përfshirë rritjen ekonomike prej 5.4% në tremujorin e parë të këtij viti, si dhe uljen e papunësisë nga 26% në 10% gjatë qeverisjes sonë. Sikurse edhe për nevojën për përmirësimin e mëtejshëm në integritetin dhe performancën e sistemit gjyqësor, i cili vazhdon të jetë cak i kritikave në raportet ndërkombetare, përfshirë atë të Komisionit Evropian.
Është e domosdoshme që të rinjtë të kontribuojnë në forcimin e barazisë gjinore dhe në promovimin e bashkëpunimit midis shqiptarëve në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe në mbarë botën.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht. Një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik, është i nevojshëm.
Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi pandërperë në mbrojtjen e luftës sonë çlirimtare përballë propagandave të Serbisë dhe, njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t’i fshehë.
Më 16 shtator katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vite burgim në total nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim./ZËRI