TIRANË- Deputeti socialist, Erion Braçe, ka kritikuar KLGJ dhe KLP për vendimin për të përcaktuar vetë pagat e magjistratëve. Në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, Braçe tha se KLGJ dhe KLP duhet të kërkojnë falje, pasi sipas tij, morën kompetenat e Kuvendit. Sipas Braçes, vendimi i tyre përbën një akt që mund të kallëzohet. Ai shtoi se pasi Kuvendi të kërkojë ndjesë që nuk zbatoi vendimin brenda afatit të 31 korrikut, duhet t'i kallëzojë.
“Ata të KLP dhe KLGJ t’i kërkonin ndjesë minimalisht deputetëve të këtij komisioni, që ka atributet kushtetuese për përcaktimin e rrogave të tyre. Vendimi i tyre, jo vetëm që nuk ka pyetur për këtë, por ka marrë kompetenca të drejtpërdrejta të Kuvendit të Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese i kërkoi parlamentit t’ia përcaktonte rrogën. Ai akti që ata kanë bërë është edhe akt i kallëzueshëm. Kallëzimi që ata kanë bërë për drejtuesit e thesarit të Shqipërisë është i paprecedentë, akt vetëgjyqësie i pandodhur në këtë vend. Ky Kuvend, pasi të kërkojë ndjesë pse nuk ka zbatuar vendimin para datës 31 korrik, t’i kallëzonte ata”, tha Braçe.
Kjo situatë u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, formulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Pas kalimit dhe afatit dhe në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese./ZËRI