Politikë

"Hata më vete"/ Rama: Historia e botës s’e ka parë që gjykatësi t'i marrë vetë paratë nga Thesari

Rama e ka kundërshtuar këtë qëndrim, duke argumentuar se një gjyqtar nuk mund të shprehet në këtë mënyrë për paratë e konfiskuara nga krimi i organizuar.

zh.ll
"Hata më vete"/ Rama: Historia e botës s’e ka
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për debatin mbi pagat e gjyqtarëve, duke kritikuar deklaratat lidhur me kërkesën për rritjen e pagave.

Përmes një postimi në platformën “X”, Rama ka ndarë deklaratën e gjyqtarit Engert Pëllumbi, i cili gjatë një interviste televizive u shpreh se për rritjen e pagave “janë aq para sa GJKKO i konfiskon çdo vit krimit të organizuar”.

Rama e ka kundërshtuar këtë qëndrim, duke argumentuar se një gjyqtar nuk mund të shprehet në këtë mënyrë për paratë e konfiskuara nga krimi i organizuar.

Postimi i plotë i Ramës:

Jo, kurrë nuk mund të flasë një gjykatës kështu!

Historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat dhe kjo “i kemi mbledhur vetë” është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit.

Le ta imagjinojmë sikur të çohen doganierët e tatimorët, policët e inspektorët dhe të thonë duam paratë që i kemi mbledhur vetë në thesarin e shtetit nga taksat e nga gjobat!

Çfarë mbetet pastaj për mësuesit, mjekët, ushtarakët e plot e plot të tjerë që shërbejnë mijëra detyra të shtetit, për të cilat paguhen nga thesari?

Dhe sikur kjo rritje e kërkuar pa ligj të pranohet si fakt i kryer, i bie që krahasimisht me mësuesin, mjekun, ushtarakun, një gjyqtar fillestar të marrë 3.8 herë më shumë ose një pagë 280% më të lartë. Të tjerët më lart nuk i merrni dot as me mend se sa më shumë.

Pse u krijua ngërçi me pagat në drejtësi?

Kjo situatë u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, formulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Pas kalimit dhe afatit dhe në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit. Në një reagim zyrtar, Ministria e Financave kërkoi që të ridërgoheshin listëpagesat sipas metodologjisë së mëparshme. Sakaq, për pasojë, pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe një pjesë të administratës së gjykatave e prokurorive./ZËRI

Poll

MOS HUMB