TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se në protestën e radhës do të jenë të ftuar të gjitha partitë politike.
I pyetur nëse protesta e radhës do të mbahet para 20 shkurtit, referuar 20 shkurtit 1991 ai u shpreh se kjo do të vendoset në vijim.
“Do ftojmë të gjitha partitë. Është koha të krijojmë një front të gjerë opozitës që forcat opozitare politike të qendrojnë në lartësinë e kërkesës së kësaj kohe dhe t’i japin goditjen e fundit narko-regjimit. Data e radhës do të përcaktohet por ka shumë mundësi që të mbahet para datës 20 shkurt. Konsultimet nisin sot. Ne nuk heqim dorë, strategjia jonë është protesta”, tha ai, ndërsa nuk dha ende një datë se kur do të zhvillohet protesta.
"Do përcaktohet, por ka mundësi para datës. Nuk është përcaktuar. Sot fillojnë konsultimet. Do përcaktohet, do ketë njoftim. Por do ketë pa diskutim protestë. Nuk ka, nuk heqim dorë ne. Ne jemi tani, e kemi thënë edhe më para ne këtë, strategjia jonë është protesta", vijoi deklarimin e tij Berisha.
Kreu i PD foli dhe për imunitetin e Belinda Ballukut.
“Sot, de facto, Këshilli i Mandateve i hoqi mandatin Lubi Ballukut. Mbledhja është plotësisht valide. Do të bëhet përgjegjës para ligjit dhe Kushtetutës për çdo pengesë që do sjellë Niko Peleshi.
Edi Rama pretendon për tre javë dhe se nuk kanë lexuar dosjen në një kohë kur Pamela ka lexuar dosjen dhe videot, jo vetëm mesazhet.
Po, po, se duhen thënë të gjitha gjërat ndonjëherë. Po, se këta tejkalojnë çdo gjë vije të kuqe, janë të pacipë, tejkalojnë çdo kufi.
Ç’do të thotë ajo nuk i kemi lexuar? Çfarë nuk ka lexuar? Ajo ka marrë motrën avokate. Çfarë ka mbetur pa lexuar aty? Por ka ngelur vetëm koha që u duhet për të shkatërruar qindra e qindra dokumente.
Kjo po ndodh para syve të shqiptarëve, kjo po ndodh para syve të komunitetit ndërkombëtar të gjithë Europës dhe botës.
Po ndodh një ngjarje që nuk ka ndodhur ndonjëherë në histori. PD do t’i përgjigjet me të gjithë forcën kësaj situate si me rrugë ligjore, ashtu edhe me protesta të fuqishme të ligjshme”, tha Sali Berisha.