Politikë

Berisha njofton datën e protestës së radhës: Do të jetë mosbindja civile më e fuqishme

Berisha tha se protesta e radhës kombëtare do të mbahet më 23 dhjetor

F.I
Berisha njofton datën e protestës së radhës: Do të
Sali Berisha

TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një konference për mediat, ka njoftuar edhe protestën e radhës të opozitës. Në fjalën e tij, Berisha tha se protesta e radhës kombëtare do të mbahet më 23 dhjetor në kryeqytet. Mesa duket në tubimin e radhës do të marrë pjesë edhe vetë kryedemokrati, për herë të parë që nga lirimi i tij nga Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

"Opozita shqiptare ka zgjedhur mosbindjen civile si rrugën kryesore, të vetme për të çliruar shqiptarët nga narkodiktatori dhe diktatura e tij që kërkon të marrë njëlloj si Lukashenko mandatin e katërt, të grabisë mandatin e katërt. Ndaj dhe data 23 dhjetor do të jetë dita e mosbindjes më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria gjer sot. Modalitetet e kësaj mosbindje do përcaktohen nga grupi përgjegjës, por opozitarët dhe demokratët nga mbarë Shqipëria dhe kudo që ndodhen në botë, duhet të bashkohen me 23 në një mosbindje civile që duhet të ketë fuqinë e elektroshokut për regjimin narkodiktatorial të Edi Ramës. Duke e mbyllur çështjen e rezolutave, shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj kryetarëve, kryeministrave, presidentëve, kryetarëve të partive anëtare të këtyre organizatave, që me një shpejtësi të rrufeshme votuan në një hark kohor në më pak se katër javë tre rezoluta kushtuar Shqipërisë, duke faktuar kështu se Shqipëria është bërë problem madhor për vendet ku ato qeverisin ose ku janë në opozitë, pra për mbarë botën më shumë se çdo vend tjetër,"-deklaroi Berisha.

Më tej, edhe njëherë tjetër, Berisha u shprehet i gatshëm të negociojë për votën e emigrantëve.

Sali Berisha: Në rast se mendimi i ekspertëve kërkon që për këtë problem të ketë ndryshime, qoftë në Kod, qoftë në Kushtetutë, ne jemi të gatshëm.

Ndërsa edhe njëherë përsëriti kërkesën e opozitës, e cila shtrohet para çdo proteste të Partisë Demokratike, atë të vendosjes së qeverisë teknike para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Për kryedemokratin, kjo duhet të jetë një normë kushtetuese./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB