
TIRANË-Shqipëria kujton sot një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së saj kur 34 vite më parë nisi Lëvizja Studentore që solli demokracinë në vend. Për Ditën e Rinisë, Forumi Rinor i Partisë Demokratike ka zhvilluar një marshim-protestë në Tiranë. I pranishëm ishte edhe kryedemokrati Sali Berisha. Ai nderoi studentët e Dhjetorit ‘90, ndërkohë që theksoi se sot jetojmë në kushtet e një diktature të re.
Sali Berisha: Sot ne nderojmë këtë ngjarje të madhe në kushte të një diktature të re, të një diktature, e cila sado që mund të çudisë, por studiuesit më të mëdhenj të diktaturave kanë quajtur këtë lloj diktature formën më të keqe të diktaturave. Shqipëria sot përjeton një diktaturë, një diktaturë në të cilën të gjitha puishtetet janë në dorë të një njeriu, të një antishqiptari që nuk njeh as kod e as moral. Ne do shkojmë në zgjedhjet e 11 Majit të sigurtë në fitore. Të sigurt se do pastrojmë shtëpinë tonë që Zoti të hyjë brenda në këtë shtëpi. Shqipëria është toka e Zotit. Ndaj dhe të vazhdojmë mosbindjen civile, të vazhdojmë betejën. Është radha jonë. Të garantojmë çdo të ri dhe të re se qeveria e PD në programin e saj në epiqendër do të ketë të rinjtë shqiptarë… Asgjë s’na pengon ne për të çliruar Shqipërinë nga kjo narkodiktaturë. Është radha jonë, fitore.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka uruar me një mesazh ndryshe në rrjetet sociale Ditën Kombëtare të Rinisë. Rama ka publikuar një shembull të një të riu nga Konispoli, i cili ndjek traditën e prindërve, në biznesin e përpunimit të vajit të ullirit.
Edi Rama: Respekt në këtë Ditë të Rinisë me mishërimin e qartë të forcës së shembullit të qindra e mijëra të rinjve të sotëm, që nën traditën e prindërve, por me energjinë dhe me vizionin për të ardhmen, punojnë, ndërtojnë e frymëzojnë për një Shqipëri të transformuar në anekënd.
Ndërkohë edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka përcjellë një mesazh nga burgu me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë. Përmes një postimi në Facebook, Meta shprehet besimplotë se të rinjtë do të marrin në dorë fatet e tyre dhe të vendit.
“Gëzuar 8 Dhjetorin, Ditën Kombëtare të Rinisë! Mirënjohje të veçantë ndaj Lidershipit Heroik të Azem Hajdarit, të gjithë djemve dhe vajzave, që 34 vite më parë, duke vrarë frikën i prinë me guxim, kurajë e patriotizëm Lëvizjes Studentore që e futi Shqipërinë në rrugën e Lirisë dhe të Demokracisë. Unë besoj shumë në shpirtin energjik të të rinjve të Shqipërisë për të marrë në dorë fatet e tyre dhe të mbarë vendit, sot më shumë se kurrë, kur pluralizmi politik, liria dhe demokracia janë nën agresionin e një regjimi të dhunshëm. Kjo është rruga për të ndaluar shpopullimin dhe garantuar një Shqipëri që u përket të rinjve”, thuhet në mesazhin e Metës.
Gjuthashtu Ambasada Amerikane ka kujtuar sot me një mesazh në Instagram Ditën Kombëtare të Rinisë. Ambasada e SHBA shkruan se 34 vjet më parë studentët dhe të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër një prej regjimeve më të ashpra komuniste të Europës.
"Sot, Shqipëria feston Ditën Kombëtare të Rinisë, duke shënuar 34 vjet që kur studentët dhe të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër një prej regjimeve më të ashpra komuniste të Europës, duke shënuar rënien e tij dhe duke formësuar të ardhmen e kombit. Më 8 dhjetor kujtojmë ata që luftuan për demokraci. Rinia e sotme vazhdon të formësojë të ardhmen e Shqipërisë dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ju ndërsa ecni përpara në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE,"-shkruhet në postim.
“Dita e Rinisë”
Më 8 Dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të protestave që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë. Të organizuar ata marshuan nga ‘Qyteti Studenti’ drejt qendrës së Tiranës. Me thirrjet “Liri Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike, ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës si dhe integrimin në Europë.
Protestat do të vazhdonin edhe në ditët në vijim deri në datën 11 Dhjetor në mbrëmje kur në takim me Ramiz Alinë u konfirmua edhe pluralizmi politik, që solli më pas themelimin e Partisë Demokratike. Lëvizja Studentore do të vijonte deri në rrëzimin përfundimtar të diktaturës komuniste dhe instalimin e sistemit demokratik. Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të Dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare./ZËRI