
GREQI- Kryedemokrati Sali Berisha ishte sot në Athinë ku zhvilloi një takim me emigrantët shqiptarë në Greqi. Në nisje të fjalës së tij, Berisha preku marrëveshjen për detin mes dy vendeve. Ai tha se është marrëveshja më e mirë që ka firmosur Shqipëria ndonjëherë me fqinjët e saj ka qenë ajo që firmosi me Partinë Demokratike në pushtet për detin. Sipas kryedemokratit Berisha, do të ishte absurde që të firmosej një marrëveshje që Greqia të humbiste dhe Shqipëria të humbiste. Ai në fund premtoi që kjo marrëveshje do të finalizohet me PD-në në pushtet.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Në mars 1996 firmosëm me presidentin e Greqisë, Stefanopullos traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit. Traktat që u jepte përgjigjen ligjore më të mirë, të gjitha marrëdhënieve mes dy vendeve, probleme që duheshin zgjidhur dhe të ardhmes së shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve. PD po në këtë frymë, rikthyer në pushtet firmosi me autoritetet e këtij vendi, marrëveshjen e detit. Unë ju them këtu vëllezër dhe motra, ajo është marrëveshja më e mirë që ka firmosur Shqipëria ndonjëherë me fqinjët e saj. Natyrisht do të ishte absurde që të firmosej një marrëveshje që Greqia të humbiste dhe Shqipëria të humbiste. Ja pra që ka një marrëveshje kur fitojnë të dy palët dhe nëse kishte marrëveshje që fitonin të dy palët ishte marrëveshja që bëmë ne për zonat ekonomike dhe detin. Këtë marrëveshje e përmbysi Edi Rama. Jo vetëm e përmbysi marrëveshjen, por kur gjykata e hodhi poshtë, qeveritë greke për hir të së vërtetës e qendrës së djathtë dhe të majtë respektivisht, ramë dakord që të shkonim në Hagë, sepse në Kushtetutë ligji ndërkombëtar mbizotëron dhe të merrnim sanksionim në Gjykatën e Hagës. Çfarë bëri? Jo tha. Do të bëjmë një marrëveshje më të mirë. U tregua një sharlatan, negocioi tre vite dhe në fund i thotë ministrit të Jashtëm se, nuk e firmosim dot, se kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ju garantoj ju se ajo marrëveshje me PD-në në pushtet do të finalizohet dhe marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë do të jenë shumë të mira.