Politikë

Berisha flet pas debatit në Këshillin Kombëtar: Çdo njeri ka të drejtë të shprehë mendimin e tij

Berisha vlerësoi ekipin e kandidatëve të propozuar për postet drejtuese në parti, duke e cilësuar atë si një grup me përfaqësim të gjerë të figurave me eksperiencë dhe të rinjve.

M.K.
Berisha flet pas debatit në Këshillin Kombëtar: Çdo njeri
Sali Berisha

TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar për procesin e zgjedhjeve në Këshillin Kombëtar të PD, pak para nisjes së numërimit të votave.

Berisha vlerësoi ekipin e kandidatëve të propozuar për postet drejtuese në parti, duke e cilësuar atë si një grup me përfaqësim të gjerë të figurave me eksperiencë dhe të rinjve.

“Ky është një ekip me shumë personalitete, me një përfaqësim të madh nga rinia dhe me eksperiencë të spikatur në fusha të ndryshme. Në kompetencë, formim dhe përvojë është një nga ekipet më të mira që ka pasur kjo parti”, deklaroi Berisha.

Ai u ndal edhe te zërat kritikë brenda mbledhjes së Këshillit Kombëtar, duke thënë se çdo anëtar i partisë ka të drejtë të shprehë qëndrimin e tij.

“Çdo njeri ka të drejtë të shprehë mendimin. Ne votojmë fshehtas dhe secili ka të drejtën e tij për të zgjedhur”, tha kreu i PD-së.

I pyetur për përplasjen me anëtaren e Këshillit Kombëtar, Ilirjana Kuçana, Berisha u shpreh se nuk i është mohuar e drejta për të folur dhe se ajo mund të shprehë qëndrimet e saj në përputhje me statutin e partisë.

“Ajo është e lirë të flasë, nuk i mohohet askujt kjo e drejtë. Në përputhje me statutin do të gëzojë çdo të drejtë, edhe nëse dëshiron të paraqesë një rezolutë”, u shpreh Berisha.

Sa i përket ndryshimeve të mundshme në drejtimin e strukturave të PD-së në qarqe, Berisha tha se procesi do të vijojë pas përfundimit të votimit dhe analizës së rezultateve.

“Kjo është një procedurë e vazhdueshme. Çdo ndryshim do të bëhet në bazë të rezultateve që do të dalin nga votimi”, përfundoi Berisha./ZËRI

Poll

MOS HUMB