TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar për herë të parë çështjen e Zvërnecit, ku një qytetar gjatë protestës së 30 majit u tërhoq zvarrë nga roje private të sigurisë së kompanisë 'Major Security'. Berisha dënoi aktin e dhunës, por deklaroi se nuk ka dijeni për projektin që pritet të zbatohet aty. Kryedemokrati theksoi se Partia Demokartike mbështet investimet e huaja.
Sali Berisha: Së pari, në qoftë se është fjala për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, e dënoj atë. Ai ishte rrëmbim, në duart e policisë, dhe e dënoj atë si një akt të shëmtuar të policisë së shtetit. Së dyti, Partia Demokratike është parti që mbështet fuqimisht investimet e huaja. Ligji thotë këtë: në rast se qeveria miraton një projekt të një investitori të huaj, i cili është bazuar në dokumente origjinale shtetërore pronësie, kadastre, dokumente origjinale, çdo problem që lind pas miratimit të qeverisë, qeveria i përgjigjet palës me çmimin e tregut. Dhe në qoftë se ty pronar, të kanë shkelur të drejtën e pronës dhe janë firmosur dokumente mbi të, përgjegjësia është e shtetit. Dhe ai që ka bërë këtë do mbajë përgjegjësi dhe shteti do të përgjigjet ty me vlerë tregu. Është ligji që detyron shtetin me vlerë tregu. Ne jemi shumë respektues për çështjen e pronësisë, por jemi mbështetës absolut të investimeve të huaja dhe gjatë periudhës tonë ju nuk keni parë pronar të protestojë ndaj një protestuesi të huaj se po më rrëmben tokën.