TIRANË-Kryeministri Edi Rama në videon e ndarë rreth sezonit të ri të podacstit të tij 'Flasim', gjatë një interviste me rreth 300 pyetje është ndalur edhe në situatën e Bashkisë së Tiranës. Rama shprehet se është një Bashki pa kokë, ku sot nuk ka në krye një të deleguar, ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në qeli. Një koment e ka edhe për vetë kryebashkiakun, ku gjatë intervistës kreu i qeverisë deklaron se Veliaj ishte një talent, por sipas tij nuk e mbajti dot peshën e pushtetit.
View this post on Instagram
"Bashkia nuk ka kokë. Është një eksperiment social, politik dhe ekonomik ky që një kryeqytet të drejtohet pa kokë. Ishte një talent, talent i madh politik që nuk e mbajti dot peshën. Pushteti është një kafshë e përbindshme, ka ngrënë e ka futur nën vete shumë burra,"- shprehet Rama.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI