
TIRANË- Seanca plenare e mbajtur sot me rikthimin e Opozitës në Kuvend u shoqërua me debate mjaft të forta. Deputeti dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi hodhi akuza kundrejt Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha dhe vëllait të këtij të fundit. Sipas Bardhit, vëllai i Hoxhës do ta pësojë bashkë me zëvendëskryeministren Belinda Balluku për shit-blerjen e energjisë elektrike, por nuk dha më shumë detaje. Pas këtyre akuzave, Balluku e ftoi Bardhin në Fier, ku tha se e pret një event në të cilin ai mund ta shpqëronte meqë kishte dëshirë të fliste për të. Demokrati replikoi, por në atë moment Balluku la Kuvendin, pavarësisht thirrjeve të Bardhit për t’ia dëgjuar përgjigjen deri në fund.
Pjesë nga debati:
Deputeti Gazment Bardhi-Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha: Së pari njëherë turmë je ti dhe çeta e hajdutëve që të rrethon ty duke përfshirë dhe tët vëlla që do të marrë në qafë veten dhe Belinda Ballukun, do ta mësosh shumë shpejt pse po e them këtë. Që është një hajdut, atje në OSHEE, që vjedh paratë e qytetarëve dhe të energjisë elektrike të qytetarëve. E para, ju jeni tufë, jo ne deputetët e Opozitës, së dyti, nuk e di, e lexove SMS-në që të kishte dërguar Edi Rama apo që të kishin dërguar banda e Troplinëve të Durrësit, ushtar i të cilit je ti zotrote. Je një njeri ushtar i bandave të Durrësit që me marrëveshje me njëri-tjetrin të kanë zgjedhur ty si ministër. E di mirë zotrote se shkon dhe i falesh atyre në Durrës. Mos guxo më kurrë as të më drejtohesh mua dhe as tu drejtohesh deputetëve të Opozitës me epitete se ne mund të të vëmë ty 20 epiteteve të merituara.
Zv/Kryeministrja Belinda Balluku: Hajde, hajde, hajde se kemi event në Fier, se ke gjithë ditën. E hape dhe e mbylle me emrin Belinda në gojë. Të jam kthyer në një fiksim. Belinda dhe Fieri, ky është fiksimi i të së vërtetës.
Deputeti Gazment Bardhi: Zonja kryetare, në bazë të nenit 4, ne deputetët kemi bërë betimin që do të punojmë me gjithë….mos ik o Belinda, pse po ikën
Zv/Kryeministrja Belinda Balluku: Jam në Fier, ta thashë
Deputeti Gazment Bardhi: Po ti rri pesë minuta, dëgjo përgjigjen se na the shifra dhe ike. Na the dhe që do të mbajmë mend buxhetin e vitit 2023, patjetër që do ta mbajmë mend sepse vetëm në një projekt zotrote fute në xhep 50 milion euro. Dhe tani ikën dhe fshihesh. Do ta mbajnë mend shqiptarët buxhetin e 2023-shit, sepse vetëm nga shit-blerja e energjisë elektrike zotrote fute në xhep 180 milion euro. Prandaj kur vini këtu dhe flisni për mirëqenien e qytetarëve, mos e ngatërroni me mirëqenien tuaj. Se shqiptarët mjafton të shohin si ka qenë Belinda e veshur para pesë vitesh dhe si…
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali: Zoti Bardhi kjo nuk është për procedurë
Deputeti Gazment Bardhi: Ta mbaroj, jo zonjë, do dal në procedurë
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali: Dil
Deputeti Gazment Bardhi: Mos më ndërhy se do bëj…a kam tre minuta kohë unë? Do ta shtroj siskutimin tim siç dua unë dhe do dal në procedurë. Përmenda nenin 4 të rregullores, do dal te procedura, mjafton të shohim si vishej zonja që foli përpara 5 vitesh dhe si vishet sot, sa kushtonte veshja e saj përpara pesë vitesh dhe sa kushton sot. Prandaj zonja kryetare, kur jemi betuar, jemi betuar për mirëqenien e qytetarëve, jo për mirëqenien e Belinda Ballukut edhe të ndonjë tjetri. Prandaj dhe ju do të duhet të ndërhyni, sipas rregullores së Kuvendit, sa herë vijnë këtu dhe gënjejnë, në 2007 thotë kishte shtatë orë drita. Po patjetër, se na e kishit lënë peshqesh gjatë qeverisjes tuaj 1997-2005. U desh të vinte PD-ja në pushtet që të zgjidhte hallin e furnizimit me energji elektrike dhe e bëmë këtë pa e rritur çmimin e energjisë, siç e keni bërë ju. Që e keni rritur me 70% në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Prandaj zonja flet me veten dhe ikën e fshihet sepse gënjeshtrat nuk e mbulojnë dot të vërtetën./ZËRI/