
TIRANË- Ish-presidenti i vendit, Bamir Topi është shprehur se pret që të thirret nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dosjen e "21 janarit". Në një intervistë në poscastin "Të Pashoq", Bamir Topi thotë se kësaj here pritet që të bëhet drejtësi. Në fjalën e tij, Topi tha se ngjarja nuk ka ndodhur vetëm ditën kur u vranë 4 persona, por edhe më pas, pasi u kërcënuan kreu i shtetit dhe ish-kryeprokurorja Ina Rama. Për veten e tij, tha se është një nga personat më të interesuar që vrasja e 4-fishtë të zbardhet.
PJESË NGA INTERVISTA:
-A jeni i gatshëm të dëshmoni në SPAK për ''21 Janarin'' dhe çfarë dini ju më shumë?
Bamir Topi: Po bëhen 14 vite dhe kur vjen një moment për të zbardhur një ngjarje tragjike, patjetër, që qoftë si qytetar dhe qoftë si President edhe një moment lehtësie. Në momentin po tentohet për drejtësi mbi një ngjarje që ka të vdekur dhe të plagosur. Mbi të gjitha për atë imazh poshtërues të përplasjes me policinë të njerëzve të gjakosur dhe me radhë. Ka 21 Janar, ka dhe 22 dhe 23, apo 24, kur në fokusin e sulmeve politike, madje poshtëruese, u vendosën njerëz që mbanin poste të rëndësishme si presidenti, kryeprokurorja, institucione të tjera të pavarura dhe njerëz të medias. Nuk e caktoj unë nëse thirrem apo jo. Nëse thirrem jam i detyruar të shkoj.
-Do donit t'ju thërrisnin?
Bamir Topi: Unë këto kontribut, që nuk quhet ezaurues, se çështja është komplekse. Ka zhvillime para, gjatë dhe pas vrasjeve. Unë kam shkruar një libër për ngjarjet që kanë shoqëruar Presidencën dhe mes tyre është 21 Janari. Shkrimi për 21 Janarin është analitik dhe brenda asaj hapësire që unë kam vendosur ngjarjet kryesore, kam treguar momente të rëndësishme. Ky libër ka dalë në 2018. Pozicioni i presidentit në atë kohë ka qenë jashtë kësj përplasje që ishte mes opozitës dhe qeverisë. Jemi tani jo te ajo që është konsumuar, te momenti pos faktum se si u zhvilluan hetimet, pse u pengun prokurorët dhe pastaj jemi në momentin që pas 14 vitesh është një proces. Çdo njeri që futet në këtë metodike të marrjes së informacionit, padyshim është detyrim. Ju e dini akuzën që është bërë se Kryetari i Shtetit u akuzua si kryetar i grushtit të shtetit. Unë jam një nga njerëzit më të interesuar të zbardhet në të gjithë kontekstin e vet “21 Janari”.
Pas ngjarjeve të 21 janarit, më herët Topi kishte zbuluar se nuk kishte më komunikim mes meje dhe Berishës. Në intervista të dhëna vite më parë, ish-presidenti tregoi se ajo që sipas tij irritoi ish-kryeministrin Sali Berisha, ishte deklarata që ai bëri pas ngjarjes.
“E di dhe jam i qartë se Berishës nuk i ka pëlqyer që unë kam folur në bulevard. Vrasjet ndodhën në bulevard. Unë nuk citova që vrasjet kanë ndodhur në kryeministri, ato ndodhen në bulevard,”- u shpreh ish-presidenti Topi.
Më 23 Janar, Berisha e shpalli Bamir Topin, i cili ishte president i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike, si “puçist”.
SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në protestën e 11 Janarit të vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Procedimi penal është regjistruar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave; “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha./ZËRI