TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca e radhës lidhur me dosjen 'Partizani', ku dëshmitar është thirrur ish-presidenti Bamir Topi. Vetë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i pandehur në dosje, u pyet nga gazetarët lidhur me dëshmitarët. Berisha u shpreh se nuk ka djeni pse është thirrur Bamir Topi, ndërsa theksoi se nuk ka nevojë për dëshmi pro tij pasi ligji nuk është shkelur.
Sot është gjyqi i themelit në dosjen Partizani ku ju jeni i akuzuar nga SPAK. Pritet të dëshmojë ish-presidenti Bamir Topi. Si e parashikoni ju dëshminë e tij dhe përse është thirrur në dijeninë tuaj, Bamir Topi?
Sali Berisha: Saktësisht pse është thirrur Bamir Topi, e dinë ata që e kanë thirrur. Prokurori ose gjykatësi. Në hamendjen time, ai është thirrur sepse ka qenë President i Republikës, në mos gaboj, dhe natyrisht do ta pyesin si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura çfarë dinte ai për sigurinë në atë kohë, dhe për të gjithë atë gjendje. Se çfarë do të thotë, nuk e marr me mend, por të thotë atë që do.
Thua do të dëshmojë pro jush Bamir Topi?
Sali Berisha: S'kam nevojë për asnjë njeri në botë të dëshmojë pro meje, sepse është faktuar në mënyrën më përfundimtare që në mënyrë absolute nuk ka asnjë shkelje ligjore. As dhe një shkelje më të vogël ligjore. Ka trillime të paimagjinueshme në atë proces.