
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka komentuar në rubrikën 'Sy më sy' arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt dhe hetimet që po kryhen ndaj tij. Rama është ndalur në një nga pasuritë e paluajtshme, konkretisht një vilë e ndodhur në Qerret-Kompleksi “Marea Resort”. Kreu i qeverisë u shpreh se shtëpia është e vjehrrit të Veliajt dhe ky i fundit po akuzohet sikur është pronë e tij, sepse aty janë gjetur rrobat e djalit 6-vjeçar.
Edi Rama: Në akuzën që i bëhet kryetarit të Bashkisë , në atë romanin e madh, p.sh. flitet për shtëpinë e të vjehrrit, vite e vite më parë marrë në Qerret atje. Dhe akuzohet se meqë janë gjetur aty rrobat e djalit tënd, fëmija i vogël që shkon te gjyshja në plazh, është shtëpia jote. Mbase është e vërtetë, do ta shikojmë me prova. Por ama kur shkohet deri këtu që ti kërkohet dikujt llogari për vjehrrin e vdekur, që është bërë posedues i një shtëpie në kohën kur dhëndri nuk ka patur asnjë lloj pushteti është vërtet mbresëlënëse.
"Kanë kaluar si pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme, specifikisht një godinë banimi e tipit “Vilë” e ndodhur në Qerret-Kompleksi “Marea Resort”, dhënë si përfitim i parregullt nga persona konkretë përmendur më lartë, të cilët zotërojnë dhe përfaqësojnë subjekte tregtarë, të lidhur ngushtë me interesa financiare me Bashkinë Tiranë, përmes përfitimit të fondeve publike si edhe lejeve të ndërtimit, tek familja e kryetarit të Bashkisë Tiranë,"-thuhet në njoftimin e SPAK.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestuar më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv në 9 raste. Sipas SPAK, përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules, i cili po ashtu u arrestua me urdhër të SPAK, u gjeneruan 1.1 mln euro. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi. Paratë siguroheshin nga ryshfeti që dhanë 5 biznesmenët për leje ndërtimi dhe fonde publike. Nën hetim edhe Klotilda Bushka, e cila akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës./ZËRI