
TIRANË- "Lëvizja Bashkë" ka paralajmëruar protestë. Tubimi është njoftuar se do të mbahet të mërkurën, në orën 18.00, para Kryeministrisë. Kërkesa e tyre është vetëm një; dorëheqja e kryeministrit Edi Rama pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
POSTIMI I PLOTË:
Arrestimi i Erion Veliajt është një hap i rëndësishëm në vendosjen e drejtësisë në Shqipëri. Gjithsesi korrupsioni në Shqipëri shkon më lart, tek Edi Rama. Sot Edi Rama duhet të ishte në burg bashkë me Erion Veliajn për inceneratorët, lejet e kullave në Tiranë, ligjin e investitorëve strategjikë dhe koncesionet e shumta. Kjo është detyra e institucioneve të drejtësisë. Detyrë dhe e drejtë e qytetarëve është të kërkojnë të mos qeverisen më nga një kryeministër i fund e krye i korruptuar, kloni politik i të cilit sot është në burg i akuzuar për 9 vepra korruptive. Në këto kushte, me përgjegjësinë më të lartë politike, Lëvizja BASHKË thërret të gjithë qytetarët në protestë të mërkurën në orën 18:00 përpara kryeministrisë. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen një orë e më parë.
SPAK ka prerë sot urdhërarresti për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Në pranga është edhe biznesmeni Elman Abule, ndërsa e shoqja e Veliajt, Ajola Xoxa është lënë në "arrest shtëpie". Sipas SPAK, përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules u gjeneruan 1.1 mln euro. Po sipas SPAK, paratë janë përdorur bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa në 4 vite bëri 860 mijë euro blerje online veshje dhe bizhuteri. Nën hetim është edhe deputetja Klotilda Bushka, e cila akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës./ZËRI