
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka komentuar 24 masat e sigurisë të lëshuara nga SPAK për stafin e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Rama u shpreh në lidhje me operacionin se forcat speciale shkuan në UBT “a thua se u fut në fshatin e Corleone”. Sipas kreut të qeverisë të marrësh 24 masa sigurie është një tronditje për universitetin dhe t’i japësh 'një shqelm' marrëveshjes së bërë me austriakët.
Edi Rama: Nuk është rasti që jemi problem për komunitetin e torturës. Nuk mund të jemi krenar për këtë. Më mirë 10 të fajshëm jashtë se 1 i pafajshëm në burg. Drejtësia nuk mund t’i bjerë më qafë askujt pa lidhje. Të marrësh 24 masa sigurie, të tronditësh një universitet të tërë dhe t’i japësh një shqelm një marrëveshje të bërë. Kam shkuar unë si lyps te shkallët e universitet të Bokus. Më tha je i pari kryeministër që vjen këtu, ju luta hajdeni në Shqipëri të bëjmë një universitet austriak. Sot ai zotëria që ishte rektor punon për universitetin tonë. Në Kamëz do bëhet universiteti i Vjenës. Si i shpjegohet austriakëve që merren 24 masa për barburgim a thua se u fut në fshatin e Corleones. Këto i bën prokuroria antimafia në Itali.
GJKKO me kërkesë të SPAK ka lëshuar 24 urdhër arreste, 5 “arrest në burg”, 10 “arrest në shtëpi” dhe 9 “detyrim paraqitje” për punonjës të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Të arrestuarit janë Edmond Tërthorja, Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja, Altin Murto dhe Piro Zoga. Masa arrest shtëpie u vendos ndaj 10 personave të cilët janë Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho dhe Tedi Proda. Gjithashtu janë firmosur 9 masa "detyrim paraqitje" për Enkeleida Sallaku, Klara Jahollari, Ilir Kapaj (zëvendësrektor), Erjola Kopali, Klea Lekocaj, Romina Koto (zëvendësrektore), Bejo Bizhga, Etleva Shore dhe Rezearta Dervishi. SPAK ka arritur që të zbulojë se nga 9 procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, kapën vlerën e 90 milionë lekëve./ZËRI