Politikë

Ambasadorja e re e BE-së nis detyrën, mesazhi i parë nga zemra e Tiranës: Mirë se të gjeta, Shqipëri! (VIDEO)

Në mesazhin e saj, Sousa thekson se mbështetja e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian do të jetë në fokus të mandatit të saj. 

zh.ll
Ambasadorja e re e BE-së nis detyrën, mesazhi i parë nga zemra e
Sofia Moreira de Sousa

TIRANË- Sofia Moreira de Sousa, ambasadorja e re e Bashkimit Evropian në Shqipëri, ka nisur zyrtarisht misionin e saj në vend. Përmes një postimi në platformën “X”, ambasadorja ka përcjellë mesazhin e saj të parë pas marrjes së detyrës, teksa ka publikuar një video ku shfaqet në qendër të Tiranës, e shoqëruar me pamje të ndryshme nga kryeqyteti.

Në mesazhin e saj, Sousa thekson se mbështetja e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian do të jetë në fokus të mandatit të saj. 

“Mirë se të gjeta, Shqipëri! Jam krenare të nis misionin tim si Ambasadorja e re e BE-së në Shqipëri. Mbështetja e rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian do të jetë në qendër të misionit tim dhe mezi pres të punoj me të gjithë ju drejt këtij qëllimi”, shkruan ajo në postimin e saj në "X".

Ambasadorja e re e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, mori zyrtarisht detyrën më datë 2 shtator. Sousa do të zëvendësoje Silvio Gonzaton, i cili pas tre vitesh mbylli misionin e tij diplomatik në vendin tonë.

Diplomatja portugeze ka një përvojë të gjatë në institucionet dhe strukturat diplomatike evropiane. Para emërimit si ambasadore e BE-së në Shqipëri, ajo ka shërbyer si Drejtuese e Përfaqësisë së Komisionit Evropian në Portugali. Më herët, Moreira de Sousa ka mbajtur edhe postin e Ambasadore së Bashkimit Evropian në Kepin e Gjelbër.

Në fillimet e karrierës, ajo ka punuar në departamentin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Agjencisë Europiane të Hapësirës, ku është angazhuar në aspektet ndërkombëtare të programit satelitor Galileo.

Në vitet 2005-2006, diplomatja portugeze ka shërbyer si këshilltare e lartë e Përfaqësuesit Special të BE-së për Kaukazin, një detyrë që e ka përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike të rajonit. Më pas, deri në vitin 2014, ajo ka qenë këshilltare e lartë e zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të BE-së dhe pjesë e strukturave që merreshin me negociatat për çështje të lidhura me Iranin dhe marrëdhëniet e BE-së me Partnerët Lindorë.

Ajo ka drejtuar gjithashtu programe trajnimi në Akademinë e Drejtësisë Europiane në Trier të Gjermanisë, ku është marrë me përgatitjen e kurseve për gjyqtarë dhe magjistratë mbi të drejtën dhe jurisprudencën europiane. Para angazhimit në institucionet europiane, Moreira de Sousa ka ushtruar profesionin e avokates për dy vjet në një studio ligjore në Porto, qytetin e saj të lindjes. Diplomatja portugeze ka studiuar drejtësi në Portugali dhe ka përfunduar një program LLM në të Drejtën Ndërkombëtare dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Hamburgut, në Gjermani./ZËRI

Poll

MOS HUMB