Politikë

Më 26 maj Konferenca Ndërqeveritare BE-Shqipëri, 5 kapituj në 'tryezë'

Në këtë paketë përfshihen funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike, çështjet që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe të drejtat themelore, si edhe siguria dhe liria.

F.I
Më 26 maj Konferenca Ndërqeveritare BE-Shqipëri, 5 kapituj
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Ambasadorët e 27 vendeve të BE sapo kanë miratuar draftin e përkohshëm të EUCP-së dhe është konfirmuar një Konferencë Ndërqeveritare më 26 maj, në orën 19:00. Kjo është Konferenca e teta që mbahet në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe konsiderohet një tjetër etapë e rëndësishme në procesin integrues.

Në takim pritet të konfirmohet përmbushja e kritereve të ndërmjetme nga pala shqiptare, si edhe të vendosen objektivat përmbyllëse për grupkapitullin “Bazat”. Në këtë paketë përfshihen funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike, çështjet që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe të drejtat themelore, si edhe siguria dhe liria.

NJOFTIMI

Konferenca e 8-të e Anëtarësimit me Shqipërinë, 26 maj 2026
Pikat kryesore të rendit të ditës

Takimi i tetë i Konferencës së Anëtarësimit me Shqipërinë do të mbahet më 26 maj 2026 në Bruksel.

Takimi do të shërbejë për të konfirmuar përmbushjen e standardeve të ndërmjetme nga Shqipëria dhe për të vendosur standardet përmbyllëse për Grupin 1 ‘Bazat’, duke përfshirë Kapitullin 23 – gjyqësori dhe të drejtat themelore, dhe Kapitullin 24 – drejtësia, liria dhe siguria, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike dhe kriteret ekonomike. Grupi përfshin gjithashtu Kapitullin 5 – prokurimi publik, 18 – statistikat dhe 32 – kontrolli financiar.

Megjithatë, Bashkimi Europian jep një alarm të fortë për korrupsionin sistemik që, sipas dokumentit, vazhdon të dominojë administratën publike dhe jetën ekonomike të vendit. BE kërkon përmirësime në legjislacionin zgjedhor dhe transparencën parlamentare. Raporti thekson se Shqipëria duhet të përmirësojë ndjeshëm lirinë e medias, transparencën e pronësisë së mediave dhe mbrojtjen e gazetarëve nga sulmet. BE vlerëson bashkëpunimin e Shqipërisë me Europol, Frontex dhe shtetet e BE-së kundër krimit të organizuar.

Nga ana tjetër kërkohet rritje e rezultateve në luftën kundër trafikut të drogës, pastrimit të parave, trafikut të qenieve njerëzore, armëve dhe krimit kibernetik. Raporti kërkon gjithashtu kontroll më të fortë të kufijve dhe përafrim të plotë të politikës së vizave me BE-në. Sipas vendeve anëtare të BE në këtë raport, Shqipëria është “në rrugën e duhur” për t’u bërë ekonomi funksionale tregu, por problemet me informalitetin, pronat dhe administratën vazhdojnë të pengojnë zhvillimin.

Poll

MOS HUMB