Politikë

Aksioni i SPAK/ Veliaj në burg, Ajola Xoxa arrest shtëpie

GJKKO ka caktuar masën e sigurisë ndaj tyre me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

I.F
Aksioni i SPAK/ Veliaj në burg, Ajola Xoxa arrest shtëpie
Ajola Xoxa dhe Erion Veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është arrestuar sot nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, ndërsa bashkëshortja e tij Ajola Xoxa është vendosur në arrest shtëpie. GJKKO ka caktuar masën e sigurisë ndaj tyre me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Masa arrest me burg është "prerë" edhe për një tjetër zyrtar të lartë. Pritet një njoftim zyrtar nga SPAK mbi akuzat dhe hapat e mëtejshëm të hetimit.

Hetimi

Ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, ka nisur hetimi i pasurisë, dhe SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar të kryer nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna, Shqiponja Veliaj. Kjo është hera e dytë që Veliaj paraqitet në SPAK, pasi herën e parë u paraqit më 30 prill të këtij viti. Në atë kohë kryebashkiaku qëndroi për 8 orë në SPAK lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës.

Po ashtu,  bashkëshorja e Veliajt, Ajola Xoxa, mbrëmjen e së hënës (23 dhjetor 2024) u mor në pyetje nga SPAK për rreth 3 orë në kuadër të një hetimi për pasurinë të nisur ndaj kryebashkiakut. Një ditë më pas Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e avokatëve të Xoxës dhe kunatit të saj Arbër Veliaj mbi ankimin ndaj vendimit të GJKKO që lejoi kontrollin e BKH ndaj tyre.Më 6 dhjetor, teksa kryebashkiaku ndodhej për një vizitë zyrtare 2 ditore në Hamburg, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqitën në banesën e Veliajt për të sekuestruar celularin e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Urdhëri u dha nga hetuesi i SPAK, Olsi Dado. Më pas, së bashku me vetë Xoxën janë paraqitur edhe në galerinë e saj, “Harabel”, për të ushtruar kontroll. Pas interesit të mediave, ka pasur një sqarim nga SPAK lidhur me atë që po ndodh. Sipas Prokurorisë së Posaçme, po kryen hetime për një çështje, por nuk japin detaje të tjera. Vetë Veliaj u shpreh i hapur për hetimet që po kryheshin nga SPAK.Pas kontrollit, reagoi kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit deklaroi se gjatë kontrollit që BKH ka ushtruar në zyrat e fondacionit “Harabel” të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt, janë gjetur të fshehura 230 mijë euro. Në përgjigjen  Veliaj iu drejtua Berishës, duke e quajtur atë “një hienë të xhindosur", por po ashtu paralajëmroi ankimimin që u bë në Gjykatë nga familjarët e tij. Por si në shkallën e Parë, edhe në Apelin e GJKKO-së, ankimimi për kontrollet është rrëzuar nga trupa gjykuese./ZËRI

Poll

MOS HUMB