TIRANË-Kreu i SPAK, Klodian Braho në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale është pyetur edhe lidhur me çështjen “Albanian Files” dhe kryeministrin Edi Rama, për të cilin është kërkuar hetim nga qytetarët dhe Partia Demokratike. Deputeti Gjin Gjoni i ka drejtuar kreut të SPAK, një pyetje lidhur me mundësinë e nisjes së hetimeve. Braho u shpreh se asnjë person nuk është imun dhe nëse ka prova janë të ftuar t'i depozitojnë në Prokurorinë e Posaçme.
Gjin Gjoni: Shqipëria është në vendin e 91 për korrupsionin. Mosthirrja e kryeministrit, qoftë edhe si person në dijeni, për inceneratorët, Albanian Files, krimin e organizuar, a vë në pikëpyetje paanshmërinë tuaj? A është nisur një hetim ndaj Ramës në lidhje me Albanian Files, meqë zotëria në fjalë e trumbeton si arritje të madhe? A keni hetuar se kush janë personat që kanë porositur këto kulla dhe lidhjen e tyre me kryeministrin e Shqipërisë? Si janë bërë pagesat e kostove të projekteve që sot nuk janë miratuar ende nga shteti shqiptar, megjithëse është përgatitur një dosje me mbi 500 faqe.
Klodian Braho: Nuk kam asnjë koment. Nëse dikush ka prova, është i ftuar t’i depozitojë dhe të marrë përgjigje ligjore sipas ligjit. Asnjë person nuk është imun ndaj SPAK. Këtë e them me bindje. Kushti është nevoja hetimore dhe prova për kryerjen e një vepre penale.
Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) më 14 korrik ndaj kryeministrit Edi Rama, lidhur me "Albanian Files". Duke iu referuar librit "Albanian Files", PD thotë se në të përshkruhet një skemë, përmes së cilës kryeministri, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë, arkitektë dhe biznesmenë, orientonte përzgjedhjen e studiove ndërkombëtare të arkitekturës dhe lidhjen e tyre me investitorë shqiptarë, të cilët më pas përfitonin leje zhvillimi dhe ndërtimi për projekte në Tiranë dhe zonat bregdetare.
"The Albanian Files” (Dosjet e Shqipërisë), i redaktuar nga Anneke Abhelakh, është një botim që përmban nga një kapitull për secilën prej 60 studiove ndërkombëtare të arkitekturës që punojnë në Shqipëri. Në qendër të debatit është vendosur letra e arkitektit Reinier de Graaf, e cila ka tërhequr vëmendje dhe ka nxitur reagime e polemika në publik. Bëhet fjalë për një tekst të gjatë, të drejtuar kryeministrit Edi Rama gjatë zgjedhjeve të vitit 2025. Në letër, arkitetkit, i sugjeron kryeministrit Rama idenë për heqjen e zgjedhjeve dhe kalimin direkt të “mbretërimit”.
Lidhur me librin vetë kryeminstri Edi Rama nga podcasti i tij 'Flasim', deklaroi se ai ka shkruar vetëm pararhënien se libri është tërësisht i pavarur dhe përmbledh kontributet e studiove arkitekturore që punojnë prej dy dekadash në Shqipëri. Sipas tij, teksti është keqinterpretuar dhe është nxjerrë nga konteksti, duke u përdorur si pjesë e një fushate sulmesh ndaj botimit. Rama theksoi se letra ka natyrë satirike dhe autoironike, në përputhje me stilin e autorit, dhe nuk përbën një thirrje politike.

