
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përmes një deklarate zyrtare ka informuar qytetarët për procesin e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 11 maj. KQZ iu bën thirrje qytetarëve të respektojnë Kodin Zgjedhor, duke publikuar një dokument me veprat penale që dënohen me burg. Disa nga këto vepra përfshijnë: korrupsionin zgjedhor, publikimi i fotove të votimit, votimi me dokumente të rreme, etj.
Sipas KQZ-së, disa nga veprimet që konsiderohen të paligjshme dhe të dënueshme me burg përfshijnë:
Korrupsioni gjatë zgjedhjeve: Çdo akt korruptiv, qoftë aktiv ose pasiv, si blerja e votave me para, favore materiale ose shërbime, dënohet me 1 deri në 5 vite burg.
Publikimi i fotove të votimit: Nxjerrja e fotografive të fletëve të votimit për t’i tregtuar ose për qëllime të tjera ndalohet me një dënim nga 3 muaj deri në 4 vite burg.
Votimi me dokumente të rreme: Votimi për persona të tjerë duke paraqitur dokumente identifikimi të rreme ose të falsifikuara dënohet me 1 deri në 3 vite burg.
Lehtësi në kontrollin e identitetit: Komisionerët zgjedhorë që lejojnë votimin pa kontroll të rreptë të identitetit mund të përballen me 6 muaj deri në 3 vite burg.
Kanosjet dhe falsifikimet: Përdorimi i kanosjeve, falsifikimit apo dëmtimit të materialit zgjedhor dënohet me 3 muaj deri në 8 vite burg.
Pengimi i votimit: Pengimi i zgjedhësve për të ushtruar të drejtën e votës, duke shkelur rregullat ose duke dëmtuar dokumentet identifikuese, dënohet me 1 deri në 5 vite burg.
KQZ u bën thirrje qytetarëve që, në rast se vërejnë shkelje të ligjit gjatë procesit zgjedhor, të denoncojnë menjëherë tek organet ligjzbatuese.
KQZ në bashkëpunim me SPAK kanë ngritur një task forcë, e cila do të përfshijë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës për të hetuar krimet zgjedhore. Sa i përket grupeve hetimor në terren, Prokuroria e Posaçme njoftoi se do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor./ZËRI