ELBASAN-Prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit, Hamit Ibra, i cili u gjet i pajetë pas rreth 17 orësh, dyshohet të jetë shkaku i zjarrit tragjik në pallatin në Elbasan i cili shkaktoi dy viktima dhe 10 të lënduar. Policia njofton se rrjedhja e gazit ka qenë shkak edhe për shpërthimin e fuqishëm në pallat. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije banorët e lënduar kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor dhe janë larguar nga ambientet e spitalit.
Shpërthimi ndodhi mesditën e 4 nëntorit, ku flakët e nisura në katin e tretë u përhapën me shpejtësi në të gjithë ndërtesën, duke dëmtuar rëndë banesat, muret dhe duke shkaktuar shembje. Si pasojë, tre kate të pallatit janë bashkuar me njëri-tjetrin. Përveç Hamit IbrëS, pronarit të banesës, ku raportohet se pati rrjedhje gazi, si pasojë e zjarrit humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç.
Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H. B., 82 vjeçe. Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.
Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për vlerësim.