TIRANË- Lexova deri tani me një vetëpërmbajte stoike mjaft statuse racionalë të miqve të mi për Parashkën. Nuk u heq presjen vërejtjeve të tyre që duhet të jemi racionalë, të arsyeshëm në trajtimin e ish-këngëtares. Fundja është mirë me shëndet, nuk vuan nga ndonjë sëmundje, nuk na kërkon ndihmë. Por, në fund unë do bëj krejt të kundërtën e asaj që priftërinjtë e arsyes më sugjerojnë, do lëshohem në ditirambe për Parashkën.
Kur e pashë ashtu pas asaj karroce plaçkash të vjetra, si arixhofkë (nuk kam kurrfatë ndjese për arixhofkat këtu), mendimi i parë që më erdhi ishte: si mund të fshihet kjo video nga kori i arsyetuesve moralistë dhe urrejtësve ziliqarë? Por ishte e kotë. Dy orë më vonë çdo shqiptar e kishte qëndrimin e tij ideopolitik a moral për "ish këngëtaren". Më pëlqenin sidomos ata që të çanin trapin duke të thënë: "eh sa ka si Parashka, pse kjo merr vëmendje".
Një turbullirë vjellandjellëse më buronte nga stomaku bashkohej diku në laring me një dëshirë të papërmbajtur për ta hedhur atë llurbë çorbe mbi moralistin! Po ik more zhduku andej! Shkruaj çtë duash por mos na sqaro! A sqarohet emocioni o budalla?
Parashka nuk ishte këngëtare. Këngëtare apo këngëtar ka pasur edhe më të mira se ajo. Parashka ishte dritë, eter, zhivë, legjendë. Në një Shqipëri në errësirë, të përbaltur, murrëtyer, të zymtë kishte ndonjë koncert a Festival. Këndohej derisa hynte Parashka. Pastaj mbahej fryma. Ishte si një dëborë mbi një qilim të shpifur e të pisët lëtyre. Gjithçka bëhej e bardhë, e bukur, joshëse. Parashka e merrte mikrofonin dhe asgjë nuk pipëtinte. Nuk ishte zëri, as pamja, as kompozimi as teksti që na magjepste. Ishte Parashka, euforia e saj, deliri, vetësiguria prej dive. Deri atëherë ishte kënduar kot, si me thënë ishte preludi i një kryevepre! Pastaj hynte Kryevepra dhe mbretëronte!
Parashka ishte më e bukura, më e mira, më melodiozja. Parashka ishte drita në errësirë!
Kur erdha në vitin 88 në Tiranë, Parashka studionte në Institutin e Arteve. Kishte një dhomë te Godina 7, ndonjëherë e shihnim rrugicave të Qytetit Studenti.
Sa herë shihej studentët e komentonin: "Hej, pamë Parashkën".
Kishte legjenda rreth saj, kapriçiove, delireve, mardhënieve të saj me meshkujt.
Një ditë e pashë me një djalë të ri, ndoshta 20-22 vjeç. Shtatmesatar, me një xhakavento që ishte në modë, me flokë të verdhë, me onde, simpatik. E mbaj mend ku e pashë, ishte poshtë Kino klubit Studenti, rruga që të çonte te Liqeni.
Uau!, vetë Parashka qenka e lidhur, ndoshta me një student! I kishte futur krahun djaloshit dhe dukej e lumtur. Mbeta i habitur dhe pak xheloz! Parashka nuk duhej t'i përkiste vetëm dikujt.
Por shpejt e pamë vetëm. Flitej për një lidhje të saj me një të fortë të Sigurimit. Na vinte keq për të, Bisha e Sigurimit kushedi se çfarë do i ketë bërë, ku ia ka zënë kokën me derë...
Por shpejt kuptova se Parashka nuk kishte dashnor, Parashka kishte vetëm zgjedhje të momentit. Ajo ishte magjistare zemrash por argëtohej vetëm për vete. Ishte le të themi një kurtizane moderne, një ikonë mode, një panterë! Muzika shqiptare e viteve 85-90 ishte pa asnjë diskutim nën pushtetin e saj! POR Parashka ishte më shumë se Muzika. Ajo ishte bukuria, Sharmi, moda, melodia, spektakli. Televizioni u bë i tillë nga Parashka. Ajo e dalloi atë nga Radio.
*
Për herë të parë e të fundit e kam takuar në vitin 1996. Ishte një Festival Kënge, muaji Dhjetor 96, aso kohe punoja në TVSH. Parashkën e kishin ftuar dhe kishte mbërritur në Tiranë.
Ishte si e hutuar, kohët kishin ndryshuar, ajo nuk ishte Mbretëresha Absolute. Isha me Gjebrenë dhe e kisha përballë. Më prezantoi Gjebrea: "Ermali është bashkëpunëtor i afërt i Grabockës".
Në Shtator 96 (vetëm dy muaj më parë), Grabocka kishte bërë Miss Evropën në Tiranë, një aktivitet fort i bujshëm për kohën.
Parashka tha diçka të tillë:
"Grabocka duhej të merrej me mua të më bënte star botëror jo të merrej me Miss Evropën". Një e dy thoshte "you know".
Fantastike! Kjo ishte Parashka që doja unë, një anormale delirante! Ajo pretendonte se Miss Evropa ishte shumë më pak sesa koncerti i saj. Qesha dhe e pashë me admirim. Ajo ishte e çmendur! Ambicia ia kishte tejkaluar talentin dhe ajo nuk gjente ekuilibër. Çdo njeri i dukej me faj para këtij mossuksesi të menjëhershëm të saj!
Ajo kishte kredituar gëzim në zemrat e shqiptarëve dhe ata duhej ti kthenin borxhin. Por pakkush kishte ndërmend të kthehej në komunizëm dhe ikonat e tij. Koha kishte ecur, njerëzit ishin mosmirënjohës. Parashka ia vuri vulën këtij vendi. Vendosi të mos ekzistonte më. E përbuzi. Do e përmendte veç për mbijetesë...
/ZËRI