Opinione

Kush dhe çfarë e mbron Radoiçiçin në Serbi?

Autoritetet në Serbi refuzojnë ta ekstradojnë Radoiçiçin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.

Redaksia Zëri
Kush dhe çfarë e mbron Radoiçiçin në Serbi?
Milan Radoiçiç

BEOGRAD-Konfiskim i pasaportës, ndalim i largimit nga Serbia dhe detyrim për t’u paraqitur në policinë e Beogradit dy herë në muaj. Për gati një vit, këto janë masat e vetme që kanë ndërmarrë autoritetet shtetërore të Serbisë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili publikisht ka pranuar përgjegjësinë për sulmin e armatosur kundër policisë së Kosovës në Banjskë. Autoritetet në Serbi refuzojnë ta ekstradojnë Radoiçiçin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.

Radoiçiç paraqitet rregullisht në polici

Nga Gjykata e Lartë në Beograd, e cila i ka vendosur masat kundër Radoiçiçit, thonë për Radion Evropa e Lirë se ai i respekton ato dhe se paraqitet rregullisht në stacionin kompetent policor.

Masat, sipas gjykatës, zgjaten çdo tre muaj dhe hera e fundit kur janë zgjatur, ka qenë fillimi i korrikut.

Pavarësisht kësaj, vendbanimi i Radoiçiçit aktualisht në Serbi nuk është i qartë.

Policia nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë për këtë çështje, e ngjashëm as avokati i Radoiçiçit, Goran Petronijeviç.

Predrag Petroviç, nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCBP), e përshkruan Radoiçiqin si “të preferuarin” e Qeverisë së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Fakti që nuk kemi ende një rast serioz gjyqësor kundër Radoiçiçit në Serbi, tregon se ai është nën mbrojtjen e shtetit,”- thotë Petroviç për Radion Evropa e Lirë.

Me vendim të gjykatës në Beograd, Radoiçiçit i është ndaluar kthimi në Kosovë, ku, sipas fjalëve të tij, më 24 shtator të vitit 2023 ka organizuar një sulm të armatosur. Një polic i Kosovës është vrarë në këtë sulm, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë. Në Kosovë, autoritetet kanë ngritur tashmë aktakuzë kundër Radoiçiçit dhe 44 personave të tjerë.

Ai akuzohet për terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues të Kosovës. Në aktakuzë, ai përshkruhet si udhëheqës i “një grupi terrorist”, që ka tentuar ta aneksonte veriun e Kosovës - të banuar me shumicë serbe - dhe t’ia bashkonte atë Serbisë.

Seanca e parë dëgjimore është paralajmëruar për datën 25 shtator. Beogradi zyrtar e injoron këtë proces në Kosovë, ndërsa vetë nuk ka ngritur asnjë aktakuzë për Banjskën, edhe pse ka gati një vit që ka nisur hetime. Serbia, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës apo institucionet e saj, i cilëson edhe veprat penale ndryshe nga Prishtina zyrtare.

Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë se hetimet janë në vazhdim e sipër.

Ajo tha se në bashkëpunim me organet e tjera shtetërore, po i vërteton të gjitha faktet dhe rrethanat “në lidhje me ngjarjen kritike në Banjskë”.

“Pas përfundimit të hetimeve, opinioni do të njoftohet për vendimin e prokurorit,”- thanë nga kjo zyrë. Radoiçiç, sipas tyre, ka statusin e të dyshuarit./REL

Poll

MOS HUMB