Opinione

Një viktimë nga MCA dhe Sejko flet për inflacionin

63-vjeçari nga Lezha konsumoi fotoksinë para ambienteve të SPAK, ndërsa mëngjesin e sotëm dha frymën e fundit në spital...për një kredi të marrë tek NOA që më pas i ishte shitur tek MCA.

Kejsi Muça
Një viktimë nga MCA dhe Sejko flet për inflacionin
Gent Sejko

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko ka dalë ditën e sotme në një konferencë për shtyp për një çështje shumë "të rëndësishme". Foli për inflacionin! Në asnjë moment, në konferencën e thirrur nga vetë guvernatori i BSH-së, Sejko foli për inflacionin, por në asnjë moment nuk përmendi ngjarjen më të rëndë që ka ndodhur së fundmi në vend, mu para ambienteve të SPAK; vetëflijimin e Pal Trashajt.

63-vjeçari nga Lezha konsumoi fotoksinë para ambienteve të SPAK, ndërsa mëngjesin e sotëm dha frymën e fundit në spital...për një kredi të marrë tek NOA që më pas i ishte shitur tek MCA. Këta të fundit, mirë apo keq, e bënë një reagim për të mbrojtur fytyrën e tyre, edhe pse lanë shumë pikëpyetje, por Sejko hesht. Në fakt, ishte më keq se kaq! As nuk e komentoi fare si ngjarje, sikur të mos kishte ndodhur.

Sikur Trashaj të mos ishte viktima e parë zyrtare (sepse nëse ka pasur të tjerë nuk i dimë) e injoroi. Madje si për fodullëk, kërkoi po sot një konferencë për shtyp, si për të treguar se ngjarja nuk e kishte prekur aspak, pasi mesa duket nuk ndjehet përgjegjës për ankthin, stresin dhe të gjithë problemet prej të cilave vuajnë viktimat e këtyre kompanive të mbledhjes së kredive të këqija.

Edhe pse MCA gënjeu, të paktën nuk e injoroi një ngjarje të tmerrshme që e pamë të gjithë të ndodhte para syve tanë. Sejko, nga ana tjetër, në cilësinë e personit që mund të kishte ndaluar këtë dramë sociale të ndodhte, zgjodhi të fliste për inflacionin dhe sa mirë kishin vepruar si institucion duke bërë punën për të cilën paguhen.

Por po ashtu, asnjë nga mediat e pranishme në konferencë nuk e pyeti, ose nuk pati guximin që të ngrinte zërin duke bërë detyrën për Trashajn dhe shumë të tjerë si ai që të vetmen zgjidhje kanë vetëgjyqësinë në një formë apo në një tjetër. Teksa qytetarët vuajnë çdo ditë nga këto institucione, Sejko&co, ndoshta nga shtatori do të dalin me një vendim sesi do të veprohet me kredimarrësit në këto institucione. Deri më tani kanë thënë shumë fjalë, kanë shfrytëzuar çdo hapësirë mediatike për të thënë asgjë me rëndësi, thjesht duke zvarritur marrjen e një mase konkrete. Janë të qetë pasi në fakt, borxhi është mbi shpinën e qytetarëve edhe gjatë pushimeve të verës që me legjimitet BSH do të marrë. Veçse ndoshta në shtator mund të jetë vonë...ashtu siç ishte vonë për 63-vjeçarin.

Megjithatë ndërkohë që Banka e Shqipërisë pushon, SPAK ende vazhdon dhe heton dosjet që ka në dorëzim pikërisht për këtë çështje. Ndoshta në fund do të ketë drejtësi. Edhe për Trashajn, edhe për të tjerët që kanë denoncuar pranë ZËRI-t dramën e tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB