TIRANË- Ka disa njerëz që konsumojnë aq shumë kohë duke u hequr si ata që nuk janë, sa harrojnë kush janë në të vërtetë. Dhe zakonisht këta nuk e gjejnë veten edhe atëherë kur e kërkojnë. Ky duket se është fiks rasti i Lulzim Bashës. Aq shumë gënjen, saqë ka nisur edhe vetë të besojë gjithçka thotë duke krijuar për veten një iluzion të paqenë. E nisi shumë rastësisht përfshirjen në politikë, ose të paktën kështu pretendon ai. Ndoshta nuk është ndër politikanët më karizmatikë apo inteligjentë që ka pasur vendi, por një veti e ka. Është "gryks" më shumë se çdo emër tjetër që i është dhënë rasti që të futet dhe të marrë një mbështetje sado të vogël në poltikë. Vetëm se për Bashën, mbështetja ka qenë pa kufi.
Dëshira për karrige dhe pushtet i kishte zënë sytë për të kërkuar më shumë, gjithmonë e më shumë. Lart e më lart. Frika është një instinkt që e mbron njeriun, por duket se për Bashën nuk ka ekzistuar ndonjëherë. As instikti normal që ka çdokush për të kuptuar vendin e tij në shoqëri, ose e ka pasur dhe nuk ka ditur kurrë ta lexojë. Nuk e kupton që vetë, vetëm si një individ i zakontë, nuk merr as votat e lagjes së tij, ashtu siç edhe ka ndodhur në zgjedhjet e fundi.
Ndaj edhe është i dënuar që të humbasë përherë!
Ka humbur aq shumë zgjedhje saqë na ka humbur edhe numërimi, por akoma ka shpresë.
Ka shpresë të fitojë tani, kur nuk e bëri në kohën kur të gjitha planetet ishin të rreshtuara në favorin e tij. Fillimisht e mbështeti Argita Malltezi, e cila la me një kordele në kokë jashtë zyrës së babait duke e prezantuar si një të ri që do parti! Nga halli, pastaj nga qejfi e mbështeti edhe Berisha. Tek e fundit, Basha ishte "Mister YES", i thoshte po për çdo gjë dhe ishte lehtësisht i manipulueshëm e po ashtu i pamundur që të bënte zarare. Kur tentoi që të bënte aktin shekspirian nga zyra e tij që të vriste atin politik, përfundoi jashtë selie vetëm me një vulë në dorë. Me atë vulë, medemek u mbështet të ndërkombëtarët që e mbështetën mbrapsht, nga halli edhe ta. Fatkeqësisht vetëm me të mundeshin. Berisha dhe Ilir Meta për ta ishin karta të djegura, ndërsa Luli u tundte në dorë vulën e PD-së.
Nga qejfi e mbështeti edhe qeveria! Edhe pse jo xhanëm! Lider opozite perfekt! Reagonte pas skandaleve kur e njerëzit e kishin harruar, 0 ndikim politik, figurë e provuar dhe po aq e djegur. Sepse duhet thënë në postet ministrore nuk ka shkëlqyer ashtu siç pretendon. Pse mos të mbështetej? Është ëndrra e çdo qeverie të ketë një kaush-opozitar përballë.
Tani që mbeti vetëm, vetëvendosi që ajo që nuk e vrau ta bënte më të fortë. Hoqi kostumin e deputetit dhe i inspiruar thellësisht nga presidenti ukrainas Volodymir Zelenskyy u vesh me të gjelbra. Cep më cep të Shqipërisë vajti për t'u takuar me të rinj. Bënte sikur i dëgjonte dhe sa mbaroi "rikthimin" që i mahniti të gjithë, i harroi. Edhe i besuari i tij, Gazment Bardhi e la për Berishën, ndaj tani që mbeti vetëm, bëri gjetjen gjeniale; krijoi "Harkun Opozitar Euro-Atlantik" me ca njerëz që kanë kohë që shijojnë pensionin. Ngaqë ishin pak, kishte futur në rresht edhe Enkelejd Alibeaj. Sa për numër edhe atë!
E nisi me të rinjtë e bitisi tek Preç Zogaj, Spatak Ngjela dhe dashuria e tij për "S'të lë Amerika zotëri" dhe një ish-president, Bamir Topin. Për këtë të fundit, veç syzet jo të lira mbajmë mend, se nuk jemi të sigurtë ka apo jo më një parti.
Shkurt; pa matematikën "7x7", po t'i mbledhësh të gjithë bashkë, nuk bëhet dot një mandat. Jo më të krijojnë një opozitë reale, pro-Euro-Atlantike, qytetarë, të besueshme; e shumë e shumë të tjera si këto.
Prandaj, pa paragjykime për rolin fisnik të kaushit, Lul Basha sot e meriton plotesisht titullin "më kaushi prej krejtve"./ZËRI