Opinione

Heshtja është flori!

Sulmon Projektin për Portin e Durrësit, duke e quajtur një “vjedhje” dhe hesht për hesapet e saj me Grenell dhe Trump në rastin e Sazanit. Nëse Flamur Noka, Sali Berisha&Co janë pro projektit të Kushner në Sazan, e njëjta logjikë do të duhet të jetë edhe për Portin e Durrësit.

Fjola Graçi
Heshtja është flori!
Foto ilustruese

TIRANË- Jared Kushner erdhi si turist në Shqipëri, por u largua si investitor strategjik, term që ndoshta për herë të parë e mori vesh në Shqipëri dhe sigurisht që e donte ta mbante parapri emrit të tij. Richard Grenell duhet t’ja ketë shpjeguar shumë mirë. Disa muaj pas pushimeve në jug, u zbulua edhe produkti i negociatave sekrete të çiftit Kushner, produkt i të cilave është një projekt gjigant prej 1 miliard dollarë për një investim në ishullin e Sazanit, të vetmin që Shqipëria ka.

Operacioni mediatik nisi me Bloomberg. Media amerikane prezantoi projektin mesditën e të premtes (15 mars), ku tregohej plani për investimin në Sazan.
Në fakt, artikulli në Bloomberg fshihte negociatat sekrete, financimin nga Princi i Kurorës Mohammed Bin Salman apo përfshirjen e biznesmenit Shefqet Kastrati si partner i dhëndrit të Trump në Shqipëri. Këto të dhëna ishin planifikuar që të publikoheshin nga “New York Times”, që në një investigim të thelluar, zbuloi lidhjet me një oligark rus, ndërsa hidhen dyshime të forta se mbi fondin qëndron Princi i Kurorës.

Operacioni qëlloi në shenjë. “Bloomberg” zbuti atë që do të ishte skandal nga “NYT”, duke e shitur si lajmin më të mirë të mundshëm, marrjen e ishullit të vetëm që ka Shqipëria dhe kthimin e tij në një parajse për ata që do të mundin ta paguajnë. Mbi këto dyshime, në SHBA ka nisur verifikimi për Kushner dhe lidhjet me Rusinë dhe Mohammed bin Salman. Në Shqipëri, qeveria ka konfirmuar projektin dhe dobinë që sjell për vendin, ndërsa kryeministri e ka përshkruar atë si “një xhevahir të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe” dhe vazhdon duke konfirmuar “zbarkimin e firmës më presigjioze të hotelerisë në botë” dhe se si sqaron se ky është “një projekt gjeopolitik dhe ekonomik”.

Përtej akuzave në rrjetet sociale dhe nga gjithëfarë ekspertësh që bëjnë oponencë, një investim 1 miliardë dollarë në një ishull shqiptar është një lajm që nuk mund të kalonte pa koment. Të paktën, jo nga ajo që quhet opozita e vendit. Nëse në Amerikë, çështja është ngritur tashmë në nivele diskutimi për shkak edhe të zgjedhjeve që priten në nëntor, dhe palët presin një shkak për të bërë luftën politike, në Shqipëri, i vetmi që ka reaguar të paktën i pyetur nga ZËRI, Flamur Noka, pohon se është pro projektit pasi Rithemelimi ndan vlera pro investimeve të huaja.

Ajo që sot publiku kuptoi nga heshtja e opozitës, përveçse nuk ka mendim, aftësi dhe organizim për ti përgjigjur qytetarëve për çështje që marrin vëmendje dhe kthehen në objekt diskutimi në rrjet është se për të njëjtën çështje, e njëjta opozitë ka dy standarte.

Sulmon Projektin për Portin e Durrësit, duke e quajtur një “vjedhje” dhe hesht për hesapet e saj me Grenell dhe Trump në rastin e Sazanit.

Nëse Flamur Noka, Sali Berisha&Co janë pro projektit të Kushner në Sazan, e njëjta logjikë do të duhet të jetë edhe për Portin e Durrësit. Të dyja janë investime të huaja, të dyja ndihmojnë vendin. Sali Berisha, politikani që ka më shumë konferenca publike në rang kontinenti, ende prej 3 ditësh nuk ka bërë një koment. Pse vallë? Edhe nëse është pro, përse nuk e përshëndet projektin?

Sepse ajo që mund të ishte përshëndetje mund të jetë një “vetëvrasje politike”. Sepse ai e di mirë, që nëse përqafon projektin e Sazanit, kauza e tij për Portin e Durrësit shkërmoqet e pakësohet njësoj si grupi që i rri poshtë dritares.

“PD është parti e djathtë dhe është forca e parë politike që ka hapur Shqipërinë ndaj SHBA, aleatëve dhe investimeve të huaja. Kemi qenë dhe jemi pro investimeve të huaja. Fatkeqësi e madhe për vendin që Rilindjes i ka tkurrur tmerrësisht shumë investimet e huaja prej korrupsionit, krimit të organizuar dhe pasigurisë juridike. Ajo që për ne ka rëndësi është që për çdo investim të ndiqen procedurat dhe rregullat,”-është shprehur për ZËRI, Flamur Noka.

Po a është Noka pro dhe me të njëjtin standart edhe për Portin e Durrësit? Me gjasë jo dhe arsyet dihen./ZËRI

Poll

MOS HUMB