TIRANË- KPD-ja (Komiteti i Përgjithshëm Drejtues) e famshme e Partisë Socialiste e vitit 2001 do i ketë kaluar para syve kujtdo që kujton ngjarjet politike të para 20 e kusur viteve, teksa ka parë një KPD të dytë, kësaj radhe në versionin karikaturë të së parës. Personazh kryesor përsëri Ilir Meta. Atëherë një ndër kryesorët në partinë që rriti vetë Ilir Metën. Sot kryesori në partinë që e lindi dhe rriti vetë. Edhe Meta vetë e ka pasur të pashmangshme ta përjetojë si përsëritje të KPD-së së parë gjithë këtë film. Ndaj nuk e ka fshehur dot as në gjuhën, argumentat, mënyrën euforike e shpesh telendare të argumentimit, personalizimin me emra të përveçëm, plus sharjet dhe ofendimet pa gajlen e sikletit etik.
Në qoftë se atëherë kalibri i sharjeve shkonte deri tek shprehje të dyshimta etike, të tilla si “lavatriçe”, sot regjistri shënon kulme të padëgjuara në politikë, me “mos rruajtje”, “palaço” e plot të tjera.
Kush e ka dëgjuar Ilir Metën javën e fundit, i ka bërë përshtypje edhe kthimi i shpeshtë tek Fatos Nano dhe historitë e asaj kohe. Përmendja e personazheve të ndjerë si Luan Hajdaraga dhe Dritëro Agolli, asokohe kolegë partie me Ilir Metën, duket se del nga faqet e atyre viteve të largëta. Përmendja e SHISH dhe Fatos Klosit, ngjason sot si përsëritje kur Meta del dhe akuzon përsëri strukturat e SHISH për çimka në selinë e PL.
Përmendja e Arben Rakipit, atëherë Prokuror i Përgjithshëm, ngjan identik me atë që përsërit sot ndaj Altin Dumanit, të cilët mbase jo pa shkak i bëri bashkë, njërin mentor e tjetrin dishepull. Dhe thonë që historia përsëritet, por për Ilir Metën kësaj radhe, historia po përsëritet në variantin e saj më qesharak.
Mjedisi politik nuk është më i njëjti, personazhet nuk janë më të njëjtët, publiku që dëgjon nuk është më i njëjti. Dhe Shqipëria nuk është më ajo e vitit 2001.
Në qoftë se 20 vjet më parë Fatos Nano nisi “Lëvizjen për Katharsis” ndaj një grupi ministrash e drejtorësh të cilët i akuzonte për korrupsion, të gjithë të lidhur me Ilir Metën, sot vetë Ilir Meta nuk ka ç’katharsis të bëjë në partinë e tij. Ai nuk ka më as kartën morale dhe as aureolën e të pakorruptuarit në nivele të atilla sa të ndërmarrë beteja të tilla, qoftë edhe ndaj atyre që i quan kolegë në partinë e tij. Këtë dimension Ilir Meta e ka pasur gjithmonë të dyshimtë, që në nisje të karrierës së tij. Sot pas 30 vitesh që militon në politikë, kur ka mbajtur disa prej detyrave ekzekutive më të rëndësishme, skandalet me hije madhore korrupsioni, i ka pjesë të pashmangshme të historisë së tij.
Ndaj dhe preteksti i nepotizmit brenda partisë nuk i rri në këmbë, pasi veç gruas së tij, Monikës, dhe një personazhi të dytë në Lezhë që nuk e ka dëgjuar askush as atëherë e as tani, nuk duket se ka tjetër përmbajtje e as i shërben dot si kalë beteje. Ilir Meta nuk ka as kujt ti flasë më në atë partinë që i ka mbetur, së cilës edhe po ti heqësh rrethime të vogla e të mëdha nga ato që ka qejf vetë Meta të akuzojë, mbetet përsëri një hije e shëmtuar edhe e asaj partie që nisi Meta 20 vjet më parë. Ndaj veç personazheve, edhe niveli i tezave politike, nëse i bëjmë nder t’ia quajmë të till, është më shumë se mediokër.
Nuk mund të ndodhte as ndryshe.
Ilir Meta sot, nuk ka as sqimën, intelektin apo karizmën politike që kishte Fatos Nano atëherë. Dhe për hir të së vërtetës nuk e ka pasur as në 2001, kur ishte edhe më i ri, edhe më i fuqishëm politikisht (apo edhe fizikisht, pavarësisht se mundohet që sot edhe mbledhjet me ata 5 vetë që i rrijnë ngjitur, ti bëjë me shqyerje sustash).
Në atë kohë, debati bëhej mes personazhesh të sprovuar politikë. Njerëz që kishin arsim, karrierë, pra mes atyre që mund të kishin një profesion edhe jashtë politikës. Ndërsa sot, në KPD-në e dytë të Ilir Metës, veç tij dhe Monikës që bëjnë debat mes njëri tjetrit, nuk ke as kë të dëgjosh e as kë të presësh të flasë.
Rreth vetes, Metës dhe Kryemadhit, i ka mbetur veç një tufë personazhesh anonimë që më shumë mblidhen si bodyguardë të njërit apo të tjetrit sesa si njerëz me nga një ide në kokë secili. E këta veçse tě duartrokasin, të bëjnë ndonjë ecje a ndeshje futbolli pas Metës, nuk kanë asnjë vlerë tjetër për publikun.
Në qoftë se në KPD-në e parë u angazhua një parti e tërë, më e madhja, më dinamikja dhe më interesantja e kohës, siç ishte Partia Socialiste, sot të njëjtët personazhe të para 20 e kusur viteve, Iliri dhe Monika, kanë mbetur tě vetëm, duke i bërë nga një KPD të dytë njëri-tjetrit në sytë e opinionit publik.
Meta nuk ka më pas vetes Muçin, Nacin, Bacin (e ndjerë) dhe Cacin, por vetëm Tedin, Erisën dhe Nënë Selvijen. Nuk ka më përballë Fatos Nanon, personazhin më interesant të atyre viteve në politikë, por ka vetëm gruan e tij, Monikën, Lonën dhe Braimllarin. Dhe të gjithë këta bashkë, nuk kanë më as Sali Berishën përballë si armik të përbashkët dhe shembull të së keqes së shkuar e rrezikut të ardhshëm, ndonëse kjo nuk ishte e vërtetë plotësisht as atëherë për Ilir Metën, akuzat ndaj të cilit për bashkëpunim me Berishën nuk i mungonin. Sot Sali Berisha, nga armik i KPD-së së parë, është aleat i KPD-së së dytë.
Një gjë ka mbetur e pandryshuar. Arben Rakipin e atëhershëm sot Ilir Meta e ka bërë bashkë me Altin Dumanin e sotëm. Siç ka bashkuar Fatos Klosin e atëhershëm me SHISH e sotëm (pa përmendur emër konkret). Sepse në kokën e tij fobike, nuk ka ndryshuar gjë në 20 e kusur vjet.
Ilir Meta mendon se ka të gjithë kundër. Tashmë dhe gruan e tij, apo dhe njerëz të cilët kanë jetuar vetëm duke e parë në sy, merrnin frymë prej tij, jetonin nga shtojcat e pushtetit të tij.
E mendon kaq të komplikuar e të vështirë këtë skenar, sepse e ka më të kollajtë të gjejë armiq kudo rreth vetes sesa të mendojë se të parin dhe të fundin kundër, ka pasur pikërisht veten e tij.
Armiku më i madh i ilir Metës është vetë Ilir Meta. Dhe këtë nuk e lufton dot as me palestër e as majë maleve e hekurave, as me armiq të brendshëm e të jashtëm, as me përsëritjen e KPD-ve që tashmë u ka kaluar edhe koha edhe moda.
Historia politike e Ilir Metës ka marrë rrugën më qesharake të saj. Sado të mundohesh ti gjesh të vërteta nëpër rreshtat e fjalëve që thotë, dhe sigurisht disa të tilla janë, ai tashmë është i pazoti të tërheqë vëmendjen si politikan ndaj të cilit edhe po ti besosh ndonjë fjalë, mund të të ngjallë ndonjëherë besimin se do bëjë ndonjë gjë reale me ato që thotë. Dhe ky është problemi më i madh.
Në botën e sotme, kur shumica e atyre që shohin statuset e Ilir Metës në Instagram e Tiktok për KPD-në e dytë, as kishin lindur kur Ilir Meta bënte KPD-në e parë, ata që dëgjojnë e kanë më të kollajtë të besojnë rracën e një politikani që gënjen por që duket se ka fuqi për ta bërë dhe një copë gënjeshtre të vërtetë, sesa një tjetër që mund të thotë dhe ndonjë të vërtetë ndonjëherë, por që nuk ka as asnjë fuqi të lëvizë për ta bërë realitet.
Kjo nuk është vetëm fatkeqësia e Ilir Metës. Është e të gjithëve.
Por Ilir Meta do e vuajë më shumë, deri kur të kuptojë se sot është i pafuqishëm të ndërrojë dhe fatin e tij personal, e jo më të një vendi të tërë./ZËRI