
TIRANE- Do të kishim ndaluar së shkruari këto radhë nëse nuk do të shihnim sesi kompania Blue Taxi sërish nuk merr masa për të garantuar siguri dhe shoferët e saj iu hipin trotuarve dhe shkallëve në mungesë totale të përgjegjshmërisë për të lëvizur nëpër rrugë;
Do të kishim ndaluar së shkruari me shumë mundësi nëse do të shihnim sesi kompania Lux Taxi bashkë me simotrat e saj do të vendosnin kamera të brendshme për të zbatuar ligjin, për të vërtetuar se kanë marrë masa reale për të evituar fenomenin e shëmtuar të shoferit që lëpin kartat e kokainës brenda në automjetin e kompanisë, e më pas del sërish në shërbim.
Do të kishim ndaluar së shkruari edhe nëse të katërta kompanitë, njëzëri do të falenderonin gazetarët tanë për investigimin që hodhi dritë sesi trajtojnë shoferët e tyre në mënyrë ç'njerëzore duke i detyruar të punojnë me të njëjtën rrogë 12 orë në ditë, e më pas do të ristrukturonin kompanitë e tyre, të cilat nuk do ti shihnin vetëm si burim parash por edhe një aktivitet biznesi mbarëkombëtar, që do të duhet të lartësonte emrin e tyre.
Por jo, kjo nuk ka ndodhur. Heshtja i ka kapluar të gjithë publikisht, por jo në mungesë të rëndësisë së asaj që kemi shfaqur këto ditë. Një botë e nëndheshme e shpalosur brutalisht me pamje, me zë dhe figurë e çuditërisht asnjë koment.
Një heshtje e sforcuar është një heshtje e blerë!
Kolegu ynë Ermal Mulosmani, ndër të vetmit që i ka kushtuar dy minuta kohë këtij investigimi, shkruan në rrjetet sociale se tashmë shoqëria jonë po përballet me masivizimin e krimit si paralizues të reagimit publik. Pararendës i argumentit që "këtë ne të gjithë e dimë". Dhe meqënëse të gjithë e dimë, të shesësh drogë në taksi nuk është problem.
"Do të përmend dy ngjarje që më kanë bërë më së shumti përshtypje këto kohë dhe ilustrojnë idenë më thashë më lart. Një investigim kurajoz, për tu lavdëruar i portalit ZËRI, vërtetonte jashtë çdo dyshimi fenomenin e trafikut të drogës dhe prostitucionit në Tiranë. Shoferë taksish ishin ndërmjetës të kudongjendur të trafikut të kokainës dhe të seksit. Videot e shpërndara morën qindra mijëra klikime, like, share, komente. Gjithë rrjetet sociale ishin të mbushura me këta shoferë e kompani taksish që nuk hezitonin aspak për të çuar te dileri më i afërt. Dukej se shteti as ekzistonte.
Në një shtet normal denoncimi duhej të shoqërohej me ndalime të menjëhershme të të përfshirëve, konfiskime të materialeve dhe hetime deri në gjetjen e kokave të trafikut. Në fakt asgjë nuk ndodhi. Jeta vazhdoi normalisht me nënqeshjen apo edhe përqeshjen e kriminelëve apo zarave të tyre."-shkruan Mulosmani.
Dhe e gjitha plotëson mozaikun e mosreagimeve, e mungesës së kontrolleve për drogë për shoferët e taksive dhe për atë që është edhe më e rëndë akoma, mungesën e bashkëpunimit për të gjetur shoferët e shfaqur në dokumentar.
Lux Taxi pretendoi në reagimin publik se shoferin e ka larguar nga puna. Kush na garanton se kjo ka ndodhur? A ka patur kontrolle te të katërta kompanitë. Nëse ka hetim, cili është rezultati i deritanishëm? Pse është ky ngurrim publik për të pranuar publikisht se ky fenomen ekziston dhe se do të merren masat për tu luftuar?
Këto janë pyetjet që do të shqetësonin me gjasë çdo zyrtar policie, drejtor dhe nëndrejtor që përpara se të rendte për të arrestuar Liam Mandiro në Big Brother, së pari do të merrte për bazë denoncimin dhe investigimin tonë. Deri ku arrin heshtja?/ZËRI