Opinione

Ermal Mulosmani: Masivizimi i krimit si alibi e tij

Një investigim kurajoz, për tu lavdëruar i portalit ZËRI, vërtetonte jashtë çdo dyshimi fenomenin e trafikut të drogës dhe prostitucionit në Tiranë. Gjithë rrjetet sociale ishin të mbushura me këta shoferë e kompani taksish që nuk hezitonin aspak për të çuar te dileri më i afërt. Dukej se shteti as ekzistonte.

Ermal Mulosmani
Ermal Mulosmani: Masivizimi i krimit si alibi e tij
Ermal Mulosmani

Para ca kohësh pata një status për dëmin që i bën letërsisë masivizimi, etja për të shënuar emrin në analet e ëndërruara të saj. Është bash kjo etje e pashuar e vanitetit që i bën dëmin më të madh letërsisë. Sepse fushat e mendjes nuk janë si sportet ku aftësia matet me kohë, gjatësi apo lartësi. Në sport nuk ka llafe, më i miri kërcen më lart, më larg apo vrapon më shpejt me kronometër. Le të masivizohet sa të dojë atletika, më të mirët do të ndrisin më fort në mes grumbullit të stërmadh të mëtuesve ziliqarë.

Ndërsa letërsia nuk është sport shumice, po u bë i tillë, ka vdekur. Zhurma e më të paaftëve mbyt zërat e mekur të më të aftëve duke i paralizuar këta. Këtu po e mbyll parantezën pasi e quaj të ezauruar herën e parë.

Mirëpo teknologët politikë kan marrë fenomenin e masivizimit dhe e kanë shfrytëzuar me mjaft dinakëri efektin paralizues të saj. Nuk ka më vetëm vjedhje teknologjike, me stil, të rafinuar. Oh, jo, kjo është e lodhshme, e tejkaluar. Tani kemi themeluar masivizimin e krimit si paralizues të reagimit publik.

Do të përmend dy ngjarje që më kanë bërë më së shumti përshtypje këto kohë dhe ilustrojnë idenë më thashë më lart.

Një investigim kurajoz, për tu lavdëruar i portalit ZËRI, vërtetonte jashtë çdo dyshimi fenomenin e trafikut të drogës dhe prostitucionit në Tiranë. Shoferë taksish ishin ndërmjetës të kudongjendur të trafikut të kokainës dhe të seksit. Videot e shpërndara morën qindra mijëra klikime, like, share, komente. Gjithë rrjetet sociale ishin të mbushura me këta shoferë e kompani taksish që nuk hezitonin aspak për të çuar te dileri më i afërt. Dukej se shteti as ekzistonte.

Në një shtet normal denoncimi duhej të shoqërohej me ndalime të menjëhershme të të përfshirëve, konfiskime të materialeve dhe hetime deri në gjetjen e kokave të trafikut. Në fakt asgjë nuk ndodhi. Jeta vazhdoi normalisht me nënqeshjen apo edhe përqeshjen e kriminelëve apo zarave të tyre.

Hera e dytë ishte denoncimi i Klodian Tomorit për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Sipas ligjeve në fuqi, Ministria e Shëndetësisë (dy të fundit janë Ogerta Manastirliu dhe Albana Koçiu) duhet të miratojë listën e barnave të rimbursueshme PËR ÇDO VIT kalendarik. Pra, të studiojë tregun dhe të vendosë listën. Çfarë ndodh në fakt? Sipas Tomorit, Ministria ka nja tre vjet që nuk e bën këtë punë. Pra lë në fuqi vendimin e para tre viteve pa marrë parasysh se çfarë ndryshimesh kanë ndodhë në tregun fatmaceutik. Psh, thotë Tomori, një nga ilaçet më jetike është holluesi i gjakut që parandalon trombozat etj. Xarelto është një ilaç shumë i shtrenjtë dhe prej tri vitesh rimbursohet kokërr më kokërr nga buxheti i shtetit te tregtarët farmaceutikë . Në këto tre vjet kanë hyrë edhe ilaçe alternativë mirëpo Minstria nuk i ka marrë në konsideratë. Ajo bën lojën e tregtarit të Xareltos. Mundet që Tomori të bëjë lojën e konkurentit të tij por ç' rëndësi ka kjo? A ka të drejtë në problemin që ngre? Sigurisht që po. A përgjigjet Ministria? Sigurisht që jo. Sepse kemi masivizimin e vjedhjeve të parave publike dhe kur bëhet masive njeriu dorëzohet! Çdo zë relativizohet, publiku nënqesh "Ça bëhet or 'lla, ça bëhet", mediat e mëdha shohin në këtë aferë llokmën e vet dhe gjithçka vazhdon siç ishte.

Sa për të krijuar një ide, kjo është njësoj sikur një kompani që ka fituar një segment rrugor para tri vitesh të marrë edhe një tjetër sivjet me kushtet e para tri viteve. Ndërkohë që mjaft kompani të reja janë krijuar dhe mund ta bëjnë me gjysmën e çmimit rrugën.

"Jemi në moçal dhe nuk e thajmë dot me kova ta bëjmë tokë buke".

Kjo është ideja që synohet të krijohet. Sigurisht është strategji më shumë se rastësi.

Poll

MOS HUMB