TIRANË- Genard dhe Sonida Hajdini, nëse ju përmendim këto dy emra, me siguri ju vjen në mendje imazhi i motër e vëlla që janë bërë viral në rrjetet sociale, prej më shumë se pesë vitesh. Nuk ka rëndësi nëse i ndiqni apo jo në profilet e tyre, shprehja “gjona të mira, gjona të bukura”, do t’ju sjellë gjithmonë në mendje Genardin dhe Sonidën.
Mjaftuan disa video që u bënë virale në kohën e pandemisë së “Covid 19” dhe dyshja e gjetën veten mes njerëzve më popullorë në vend. Thuajse çdo ditë përditësonin profilet e tyre me video të sponsorizuara nga biznese të ndryshme që çuditërisht, nisur nga diçka që vetëm ata e dinë, kryesisht u dërgonin pako me ushqime dhe rroba, apo u sponsorizonin dreka e darka në këmbim të postimeve në rrjetet sociale.
Në fakt, Genardi dhe Sonida nuk janë njohur për mirëqenien e tyre apo për reklamimin e një jete që nuk u përket. Ata i ka përfaqësuar modestia, shtëpia me divanët e para shumë shumë viteve dhe bufeja e drunjtë.
Por kurrsesi, nuk janë pjesë e një grupimi që nuk kanë jetuar, nuk janë shkolluar dhe nuk i kanë kapërcyer kurrë kufijtë e Shqipërisë.
Në fakt, të dy i janë dedikuar shkollimit.
Në një shkrim që mban autorësinë e Zhaklin Lekatarit, të botuar në “Living” flitet më gjatë për shkollimin e tyre.
Ishte pikërisht viti 1991 koha kur Genardi, i cili ishte angazhuar me Kishën protestante amerikane, u largua te një familjë në Amerikë për të përfunduar studimet në vitin e fundit të gjimnazit. Edhe pse tani është mbipeshë, Genardi në atë kohë iku në Amerikë falë aktivizimit në sportin e basketbollit.
Shkollën e mbaroi me nota të shkëlqyera sepse siç thotë dhe babai i tij Paqësori.
Një vit më vonë, Genardi arriti të tërheqë edhe Sonidën e cila asokohe vazhdonte studimet në shkollë të mesme. Genardi nga ana tjetër, vazhdonte shkollën e lartë për biokimi dhe filozofi. Për Sonidën, jeta në Amerikë ka qenë e veshtirë, jo vetëm për shkak të angazhimit në shkollë, apo literaturës që duhet të lexonte, por dhe për faktin që ajo për të mbeshtetur veten edhe punonte.
Megjithatë, shqetësimi i tyre i vetëm nuk ka qenë shkolla. Kjo ëndërr u pre në mes për shkak të një ngjarjeje shumë tronditëse të cilën ata ende nuk e kanë lënë pas krahëve: mamaja e tyre humbi jetën gjatë kohës që gatuante në ballkon, nga një plumb qorr, në fillimin e viteve 1999-2000 kur rrëmujat në Shqipëri ishin të pranishme në çdo çast.
Lufta dhe kaosi civil u mori nënën dhe Genardi dhe Sonida u kthyen ne Shqipëri për të mos u larguar më. Sonida mbaroi studimet e larta në Tiranë për gjuhë të huaj anglisht, dhe më pas masterin në të njëjtin drejtim, ndërkohë që Genardi përfundoi dhe tre master të tjerë të sukseshëm dhe vazhdoi dhe studimet në Shkollën Ndërkombëtare Amerikane në Tiranë.
Për tetë vite me radhë, Genardi ka qenë i angazhuar në Institutin e Higjienës.
Ai tashmë nisi të jetonte vetëm me të motrën, pasi babai i tyre, Paqësori vendosi të martohej sërish.
Ritmi i tyre i jetës ishte i ngadaltë, mes pazareve e punëve të shtëpisë, por siç kanë rrëfyer edhe vetë, me mbizotërim ushqimi që nuk u ka lejuar të bëjnë një stil jete të shëndetshme.
Edhe sot, pas shumë vitesh, ritmi është i njëjtë, në të njëjtën banesë modeste ku bredhi i Krishtlindjeve qëndron me drita të ndezura gjatë gjithë vitit.
Por, postimet e fundit, na kanë futur shumë në merak për gjendjen e dy personazheve që siç duket janë zhytur në një kllapi, ku humori që bëjnë gjithë rrjeti me ta, është i fundit që bën pjesë.
Genardi mundohet tambajë ‘gjallë’ audiencën që u sjell më shumë reklama dhe u mbush pjatat plot, por Sonida nuk është e dikurshmja, që përgatiste pjatat e ushqimit plot dëshirë.
“Jam e lodhur”, është shprehja që dëgjojmë në çdo video që postohet prej tyre, një fjali që si duket injorohet nga vëllai i saj, nga njerëzit që i rrethojnë, nga bizneset që mendojnë vetëm për të marrë atë shpërndarjen në rrjetet e tyre sociale, në këmbim të një pjate me ushqim.
Askush, por ASKUSH nuk e çoi në mendje që motër e vëlla ndoshta nuk kanë nevojë vetëm të ushqehen, gjë që po i sëmur çdo ditë, që nuk kanë nevojë të jenë vetëm viralë në rrjetet sociale, që nuk duan reklama…ndoshta duan një dorë t’i nxjerrë nga ai pus ku janë futur?
Ndoshta ndonjë biznes do ta meritonte “tag”-un në Instagramin e Genardit dhe Hajdinës po t’i merrte dhe tu ofronte një check up të plotë dhe një vizitë apo konsultë me një psikolog/e për të kuptuar se çfarë fshihet pas lodhjes së vazhdueshme të Sonidës.
E ndoshta bizneset duhet të jenë të fundit që duhet të mendojnë për ta, po shërbimi sical ç’rol luan?
Apo do të zgjohen vetëm kur kur të jetë nevoja për një “mea culpa”, pasi të ndodhë diçka e padëshureshme dhe e paurueshme nga askush?
Genardi dhe Sonida janë rasti që nuk duan zgjimin e turmave që të dalë në protesta për ta, ata e shfaqin hapur lodhjen dhe vuajtjen e vazhdueshme psikologjike në rrjetet sociale, por dora për t’i ndihmuar nuk u është ofruar.
Rrjeti mjaftohet me “meme”-t, bizneset me “tag”-un fitimprurës, e ndërsa shteti dhe shoqëria e kanë treguar që reagojnë vetëm kur bie ‘bomba’.
Por, në këtë rast, urojmë që ky shkrim të bjerë në duart e njerëzve që mund të sjellë sado pak ndryshim në jetën e Genardit dhe Sonidës….para se të jetë vonë. /ZËRI