Politikë

Ministri Hoxha diskuton protestat me ambasadorët e BE: Respektojmë tubimin paqësor, qeveria e hapur për dialog

Hoxha njofton se gjatë takimit u diskutua mundësia e dialogut me protestuesit, ku shprehet se Qeveria mbetet e hapur në çdo kohë, kudo dhe me këdo që nuk është i përfshirë në akte dhune

F.I
Ministri Hoxha diskuton protestat me ambasadorët e BE: Respektojmë
pamje nga takimi

TIRANË-Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend, lidhur me protestat e studentëve. Gjatë bisedës, Hoxha theksoi se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një liri themelore demokratike, ndërsa dhuna, vandalizmi dhe sulmet ndaj pronës publike apo private nuk mund të pranohen si mjete të shprehjes politike.

Hoxha njofton se gjatë takimit u diskutua mundësia e dialogut me protestuesit, ku shprehet se qeveria mbetet e hapur në çdo kohë, kudo dhe me këdo që nuk është i përfshirë në akte dhune. Në takim u diskutua edhe për procesin e integrimit europian, të cilin ministri e cilësoi objektiv strategjik kombëtar.

Ministri në reagimin e tij lidhur me takimin me ambasadorët europianë, deklaron se momentet e vështira duhet të forcojnë vendosmërinë e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Postimi i ministrit të Jashtëm shqiptar Ferit Hoxha:

Me ftesën time, u takova sot me Ambasadorët e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, për një shkëmbim të hapur dhe përmbajtësor mbi zhvillimet e fundit në vend. Nënvizova angazhimin e palëkundur të Qeverisë ndaj lirive demokratike, përfshirë të drejtën themelore për manifestim paqësor, duke theksuar njëkohësisht një parim po aq themelor: dhuna, vandalizmi dhe sulmet ndaj pronës publike apo private nuk mund të pranohen kurrë si mjete legjitime të shprehjes politike apo të çfarëdo forme tjetër të shprehjes.

Ky parim vlen në Shqipëri, ashtu si kudo tjetër në Evropë. Diskutuam gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit institucional, respektimit të shtetit të së drejtës dhe garantimit që të gjitha veprimet e autoriteteve publike të mbeten ligjshme dhe proporcionale. Dialogu, për të cilin Qeveria mbetet e hapur në çdo kohë, kudo dhe me këdo që nuk është i përfshirë në akte dhune, është një vlerë demokratike dhe mënyra më e mirë për të kapërcyer dallimet, adresuar shqetësimet dhe për të ecur përpara së bashku. Në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë, rruga jonë evropiane mbetet, më shumë se kurrë, një objektiv strategjik kombëtar.

Momentet e vështira duhet të forcojnë vendosmërinë tonë dhe jo të na shmangin nga reformat, standardet demokratike dhe përgjegjësitë që burojnë nga ambicia jonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Vlerësova shkëmbimin e hapur me partnerët tanë evropianë dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm me Shqipërinë në funksion të asaj që është dhe mbetet synimi ynë i përbashkët: një e ardhme e përbashkët evropiane. 

MOS HUMB