Politikë

Mes protestave/ Kuvendi të enjten në seancë plenare! Zbardhet rendi i ditës

Deputetët do të shqyrtojnë projektligje për Bankën e Shqipërisë, Këshillin Fiskal dhe mbrojtjen e konsumatorit, si dhe nisma që prekin funksionimin e biznesit dhe shoqërive tregtare.

M.K.
Mes protestave/ Kuvendi të enjten në seancë plenare! Zbardhet
FOTO NGA PARLAMENTI

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet të enjten, më 29 tetor, në seancën e radhës plenare, ndërsa jashtë institucionit vijojnë protestat kundër qeverisë. Sipas urdhrit të firmosur nga kryeparlamentari Niko Peleshi, punimet do të nisin në orën 10:00.

Në rendin e ditës janë përfshirë disa çështje që lidhen me politikat ekonomike dhe institucionale. Deputetët do të shqyrtojnë projektligje për Bankën e Shqipërisë, Këshillin Fiskal dhe mbrojtjen e konsumatorit, si dhe nisma që prekin funksionimin e biznesit dhe shoqërive tregtare.

Një tjetër pikë e parashikuar është interpelanca me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja. Po ashtu, në seancë do të diskutohen ndryshime në legjislacionin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Seanca e së enjtes vjen pas tensioneve të regjistruara në mbledhjen e kaluar, kur deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren dhe u përplasën verbalisht me kryeparlamentarin Niko Peleshi. Pas situatës së krijuar në sallë, Peleshi vendosi që seanca të vijonte drejtpërdrejt me votimin e projektligjeve.

Për shkak të incidenteve gjatë asaj seance, Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin për 60 ditë të gjashtë deputetëve të opozitës: Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Besart Xhaferri.

Mbetet për t’u parë nëse seanca e radhës do të zhvillohet pa përsëritjen e përplasjeve të mëparshme, në një kohë kur klima politike në vend vijon të shoqërohet me protesta dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.

Mes protestave/ Kuvendi të enjten në seancë plenare! Zbardhet

./ZËRI

MOS HUMB