TIRANË-Teksa vendi është përfshirë nga protestat, ku shqiptarët presin ndryshime në politikë, arsim, shëndetësi e transport, në ekonomi qeveria ka ndërmarrë hapin e radhës dy muaj larg nga viti 2027 me paketën fiskale 2027. Në nismën e re veçohet propozimi lidhur me uljen e TVSH-së për produktet ushqimore, ku nga 20% të ulet 6%. Ndryshimi përfshin produkte të shportës ushqimore, si: buka dhe mielli, qumështi dhe kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi, peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet bazë për foshnja.
Por teksa TVSH e ushqimeve ulet, taksa për familjarët dhe bizneset rritet, ku sipas projektligjit të propozuar parashikohet rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%. Me këtë ndryshim bizneset mund ta transferojnë një pjesë të kostos te konsumatorët përmes çmimeve më të larta.
Gjithashtu duke nisur nga 1 janari qeveria ka propozuar se pragu për TVSH-në të ulet nga 10 milionë lekë të reja që është aktualisht, në 5 milionë lekë të reja për xhiron vjetor. Ky ndryshim pritet të përfshijë rreth 17 mijë e 516 tatimpagues të rinj, të cilët do të duhet të zbatojnë rregullat e TVSH-së.
Ndërkohë tatimi mbi fitimin, për bizneset dhe kompanitë propozohet të rritet nga 15% në 17%. Këto ndryshime mund të rrisin kostot administrative dhe barrën fiskale për disa biznese. Në varësi të sektorit dhe mundësisë për t'i përballuar kostot, disa biznese mund të zgjedhin të rrisin çmimet, të ulin shpenzimet ose të shkurtojnë numrin e punonjësve.
Për shembull, nëse një kompani ka 10 milionë lekë fitim të tatueshëm në vit, me tatim 15%, paguan 1.5 milionë lekë. Ndërkohë me tatim 17%, paguan 1.7 milionë lekë, do të paguajë 200 mijë lekë më shumë në vit.
Paralelisht pas 8 vitesh në fuqi qeveria ka vendosur të rrisë dividentin për bizneset. Nga 8% që u vendos me paketën fiskale të vitit 2019, qeveria e rrit përsëri në 15% me paketën fiskale të 2027-ës. Dividendi është pjesa e fitimit që pronari vendos të tërheqë nga kompania. Nëse rritet tatimi mbi dividendin, pronarit i mbeten më pak para kur e shpërndan fitimin.
Për shembull nëse pronari vendos të tërheqë 1 milion lekë dividend nga kompania me tatimin 8%: Shteti merr 80 mijë lekë dhe i mbeten 920 mijë lekë. Ndërsa me tatimin 15%: shteti merr 150 mijë lekë dhe i mbeten 850 mijë lekë./ZËRI